Ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shikojmë nëpër studiot televizive teksa flet për politikë apo përgjegjësitë si kryetar i bashkisë Tiranë, Edi Rama në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ka rrëfyer kujtimet e tij dhe të familjes.

Gjatë intervistës ai gjithashtu tha se në familjen e tij është trashëguar një traditë e veçantë gatimi dhe se siç shprehet kryebashkiaku ndër amatorët është kuzhinieri më i mirë.

“Unë kam pasur fatin të lind në një familje me jo pak kujtime, qoftë me pjesën që ka të bëjë me brezat që unë nuk i kam njohur ose i kam njohur pak. Familja ime është një përzierje e të gjitha trevave shqiptare dhe përtej tyre. Në trungun e familjes së gjyshes time nga babai ka edhe gjak italian dhe kroat. Nëna e gjyshes time ka qenë vajza e një martese mes një kroati dhe italianeje, ndërkohë që stërgjyshi im ka qenë shkodran. Pjesa tjetër ka qenë e gjyshit nga babai që vjen nga Berati dhe ka qëndruar në Durrës. Pjesa nga nëna i përket Vunoit të Himarës nga ku vinin stërgjyshërit e të dyja palëve. Por vuniotësit nuk janë gjë tjetër përveçse mirditorë të zbritur shekuj më parë. Gjyshja me të cilën jam rritur në Tiranë kishte një parfum historish. Në shtëpinë tonë është trashëguar një mënyrë gatimi shumë e veçantë, nëna ime është një amvisë e jashtëzakonshme, gjë që ka lënë gjurmë edhe tek unë. Besoj se ndër amatorët jam kuzhinieri më i mirë. Për shembull unë mund të gatuaja peshk të mbushur të paharrueshëm për vite me radhë. Nëse do të më duhej që me atë që do të gatuaja të fitoja zemrën e të ftuarit apo të ftuarve padyshim do të gatuaja diçka shumë të mirë pavarësisht ingredientëve. Gjyshi im ishte i pari që fitoi garën “Formula 1” të kohës në Shqipëri me një mënyrë që sot do ta përjashtonte nga gara, ai kishte këputur frenat e makinave të tjera. Gjyshi nga nëna është konsideruar gjysmë i çmendur sepse nuk shkonte në votime dhe parashikoi një fund të keq për regjimin komunist. Por kishte edhe problem tjetër shumë të madh që donte të kishte patjetër një vajzë dhe pas tetë fëmijësh lindi ajo që do të bëhej nëna ime. Në familjen tonë është punuar gjatë për mësuar normat e mirësjelljes, raportin me më të mëdhenjtë dhe ku ideologjia dhe problemet e tjera kanë ardhur pak më vonë. Fëmijëria ime ka qenë një fëmijëri e zakonshme e asaj kohe”, tregoi Rama./tvklan.al