“Vullkani i Republikës”, ekspozitë me dokumente të kohës

40 vjetori i protestave historike të Prishtinës, ku kërkohej shpallja e Kosovës republikë brenda federatës jugosllave, u përkujtua në Tiranë përmes një ekspozite me fotografi dhe raporte mediatike. Ekspozita “Vullkani i Republikës” solli për publikun kryeqytetas 20 dokumente të përzgjedhura nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës.

“Kemi shtypin e kohës, relacionet e kohës sesi i pasqyronte këto ngjarje shtypi botëror. Kemi aktgjykime të grupeve të ndryshme që kanë qenë të arrestuar në atë kohë. Kemi edhe pjesë të shtypit ilegal”.

“Protestat e studenteve rindezën aspiratën kombëtare, atë që pas 3 dekadash u finalizua me pavarësinë e Kosovës”.

“Është një pikë kthese jo vetëm për Kosovën po edhe për ish-Jugosllavinë. Madje në Shqipëri u ngritën institucione për të ndjekur zhvillimet në Kosovë, por edhe për të studiuar historinë e Kosovës”.

Demonstratat e vitit 1981 filluan si një lëvizje spontane e studentëve të Prishtinës për kushte më të mira, e morën më pas karakter kombëtar, ku kërkohej që Kosova të shpallej republike brenda ish-Jugosllavisë. Edhe pse fryma e revoltës nuk u shua, policia jugosllave i shtypi demonstratat dhe arrestoi shumë prej studentëve.

Tv Klan