Kukësi ndalet në turin e dytë të Champions dhe tani aventura do të vijojë në Europa League, falë formulës së re të vendosur nga UEFA. Skuadra e Armando Cungut e humbi 3 – 0 sfidën e kthimit të mërkurën në fushën e Qarabag, ku vendosën 11-metërshat.

Takimi luajtur në Shkodër kishte përfunduar pa gola. Kampionët e Azebajxhanit kaluan në avantazh me penalltinë e realizuar nga Dani Quintana në mesin e pjesës së parë. Lojtarët e Kukësit menduan më shumë për mbrojtjen, duke sjellë pak rrezik në zonën kundërshtare. Aktivizimi i Reginaldo në pjesën e dytë nuk ndryshoi situatën.

Në minutën e 52’ Kukësi mbeti me 10 futbollistë pasi, Albi Alla pengoi me dorë topin që po shkonte drejt portës, duke shkaktuar 11-metërsh. Goditja e Emeghara u ndal nga Stivi Frashëri. Pak më vonë Dani Quintana nuk gaboi duke mundur portierin Frashëri në penalltinë e tretë në favor të Qarabag.

Golin e tretë të takimit e realizoi Delarge në minutat e fundit të sfidës. Ansi Agolli e ndoqi këtë sfidë nga stoli. Kukësi tani do të presë kundërshtarin në turin e tretë të Europa League. Ekipi i eliminuar në përballjen mes Vikingur – Torpedo Kutaisi do të përballet me skuadrën shqiptare më 9 dhe 16 Gusht.

Tv  Klan