Kukësi ka protestuar për dyshimet për trukime të ndeshjeve miqësore. Klubi shqiptar i ka dërguar edhe një letër UEFA-s duke synuar që të shmangë akuzat

Nuk ka dëshirë të luajë në Europë me njollë.

Kukësi ka reaguar pas dyshimeve të hedhura mbi të, për trukim të miqësoreve të verës.

Disfata 0-7 ndaj skuadrës austriake, Volfsberger, dhe fitorja 3-1 kundër rumunëve të Botoshanit, e shtynë kompaninë e njohur, Federbet, që studion kuotat e basteve, të ngrinte një alarm.

“Miqësoret nisën menjëherë në mënyrë të pistë, shkruan “Fedebeti”, Volfsberger-Kukësi 7-0. Me keqardhje, por asgjë nuk po ndryshon”.

Presidenti Gjici ka  vendosur jo vetëm që ta hedhë në gjyq “Federbetin”, por edhe I ka dërguar një letër UEFA-s, ku I kërkon që ndeshja e Kukësit në Champions të mos vendoset në skedinat e basteve.

Gjici këmbëngul se skuadra e tij ka luajtur gjithnjë ndershëm dhe se nuk pranon akuzat.

Për të hequr çdo dyshim, ai nuk dëshiron që kompanitë e basteve të kuotojnë përballjet e Kukësit me Sherifin e Tiraspolit në Ligën e Kampionëve, ndeshje që luhen në 12 e 19 korrik, me të parën në Moldavi, dhe të dytën në “Elbasan Arena”.

Nuk dihet sesa fuqi mund të ketë UEFA për të ndaluar vendosjen e ndeshjeve në skedina, por besohet se e ka të pamundur.

Vetë Kukësi kurrë nuk është dyshuar për ndeshjet e luajtura në Europë, por vitin e kaluar Skënderbeu u përjashtua një vit nga Championsi pikërisht pas akuzave të bëra nga “Federbeti”./ABCNews