Humb Partizani, Tirana me atmosferën e derbit

Atmosfera e fitores në derbi duket se ka ndikuar për mirë tek Tirana që mori fitoren e radhës. Ndaj një kundërshtari të lehtë në letër, bardheblutë nuk e patën të lehtë dhe u desh impenjimi i dy ish-futbollistëve të skuadrës vlonjate, Idriz Bathës dhe Agustin Torassa që të arrihet fitorja. Duket se pikërisht këta të dy e dinin se si fitohej me kuqezinjtë.

Ishte minuta e 65’ kur Tirana fitoi një 11-metërsh. Vlonjatët protestuan por vendimi ishte marrë dhe Batha e ktheu në gol. Vetëm pak minuta më pas argjentinasi Torrasa shënoi golin e sigurisë. Bardheblutë administruan lojën në minutat e mbetura.

Por humbja në derbi ka ndikuar negativisht për Partizanin. Nga të kuqtë pritej reagimi, por përballë Teutës në Durrës morën humbjen e tretë radhazi. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini fitoi një 11-metërsh që e ktheu në gol Kallaku. Ndeshja u tensionua me lojtarë të lojës dhe të stolit që u ndëshkuan me kartonë të kuq.

Ka përfituar Kukësi i Shpëtim Duros që në Shkodër mori fitoren e nisjes së shkëputjes në vendin e parë të renditjes. Ndaj Vllaznisë ishte Rroca që shënoi golin e parë që në minutën e 9’. Për shkak se luanin jashtë fushe, kuksianët nuk bënë aventura në pjesën e parë duke u treguar të kujdesshëm. Në fillimin e së dytës shënuan sërish, kësaj here me Vasil Shkurtajn. Goli i Zogajt për shkodranët në minutën e 74’ nuk rrezikoi suksesin.

Bylisi po tregohet skuadra më ambicioze në këtë edicion. Në Ballsh arritën të fitojnë me Laçin me golin e Jurgen Goxhajt në minutën e 80’.

Në Gjirokastër ka shpresë për mbijetesë veçanërisht pas fitores 2-0 me Skënderbeun. Griseld Lika është autor i të dy golave në këtë takim. 22-vjeçari gjeti rrjetën në minutën e 9’, dhe të 53’.

Superliga tashmë kryesohet nga Kukësi. Në vend të dytë me 3 pikë më pak është Bylisi, ndërsa Laçi në të tretin. Partizani nga vendi i parë zbriti në të katërtin.

Tv Klan