Kukësi është në kërkim të zëvendësuesit të trajnerit Mladen Milinkoviç i larguar pas humbjes me Luftëtarin. Emrat që qarkullojnë në media janë të shumtë. Së fundi janë përfolur edhe Zekirija Ramadani apo Ardian Kozniku.

Tv Klan mëson se me Ramadanin ka pasur kontakte, por nuk ka ende asgjë konkrete. Zekirija Ramadani ka qenë trajneri i Flamurtarit në një pjesë të sezonit 2015-2016 dhe e njeh futbollin shqiptar. Ai ka përvojë dhe në kampionatin maqedonas dhe atë kosovar së fundi. Ndërsa Ardian Kozniku, ish-sulmuesi i Dinamo Zagreb pëlqehet nga Kukësi, por nuk ka patur ende një kontakt mes palëve.

Kozniku ka përvojë si trajner me Shkëndijen e Tetovës, por edhe në stafet e disa skuadrave në Kroaci përfshi edhe ekipet e të rinjve. Duket se drejtuesit e klubit po vlerësojnë të gjitha alternativat e mundshme. Me anë të një komunikate klubi pranon se po punohet për trajnerin e ri, por mohon që presidenti Gjici të jetë përfshirë në takime.

Shumë emra janë lakuar dhe media ka aluduar për takime të presidentit me emra të përvetshëm si Kozniku, Cungu, Ramadani. Sqarojmë se asnjë nga keta emra nuk është takuar  me presidentin Gjici.

Kukësi ka planifikuar një fazë përgatitore që nis me 4 janar dhe emërimi sa më shpejt i trajnerit është i nevojshëm.

Tv Klan