Tirana pret Luftëtarin në “Selman Stërmasi”

Kryendeshja e javës së 19 është Kukësi-Partizani. Për ta bërë më emocionuese është vendosur të luhet të dielën në stadiumin e ri. Klubi i Kukësit publikoi një video motivuese ku lojtarët kryesorë i kërkonin mbështetjen tifozëve në “Air Albania Stadium”.

Partizani është me mungesa në këtë ndeshje me ekipin që kryeson renditjen, por për trajnerin Adolfo Sormani nuk duhet të shqetësohen.

“Pres gjithmonë të fitoj, pavarësisht lojtarëve që kam në dispozicion. Skuadra do të bëjë të më mirën për të fituar. Nëse luhet me intensitet, me agresivitet, mund të vendosësh në vështirësi çdo ekip”, tha ai.

4 fitore në 4 ndeshje kanë kthyer ambiciet te Tirana. Trajneri Emanuel Egbo kërkon të marrë maksimumin nga skuadra që mendon se po ecën siç duhet. Rivali i radhës është Luftëtari.

“Ekipi është në rrugën e duhur nga ana e rezultatit dhe objektivit të vendosur nga klubi. Të marrim sa më shumë fitore dhe në fund të bëjmë llogaritë”, tha Egbo.

Barazimi pa gola me Kukësin javën e kaluar ka kthyer shpresat te Luftëtari që po lufton për mbijetesë.

“E kam thënë që nga këta djem prisni surpriza nga ndeshja në ndeshje”, tha Nikolin Çoçlli, trajner i Luftëtarit.

Të dielën do të luhet edhe takimi Teuta-Bylis.

Tv Klan