Shehi: Kemi 9 finale deri në fund të kampionatit

Është ndeshja më e rëndësishme e javës ndaj dy skuadrave rivale në vitet e fundit por që këtë sezon kanë objektiva të ndryshëm. Elbasan Arena do të presë përballjen mes Kukësit dhe Tiranës. Bardheblutë shpresojnë tek një vend në Europë dhe për këtë ndeshje, trajneri Shehi duket se i ka mëshuar më shumë anës emocionale në përgatitjen e sfidës

“Kemi fanellën që peshon shumë, jemi kampionët në fuqi dhe gjithmonë duhet të kemi të njëjtën sjellje. Në futboll nuk ka të padiskutueshme, sigurisht që është një ndeshje e rëndësishme për ne, sigurisht që javë pas jave distanca për të rikuperohet pikë ngushtohet, edhe kjo i jep një vlerë më shumë ndeshjes nesër. Janë 9 finale, dhe si të tillë duhet ta trajtojmë nesër, duhet të mendojmë për të bërë çdo hap dhe jo për vendin e parë, duhet të mendojmë si duhet të ngjitemi sepse jemi ende në vendin e 5”.

Këtë të shtunë do të luhet edhe Partizani – Kastrioti. Të kuqtë në vendin e tretë dhe pretendentë, krutanët në të 7 luajnë për të qëndruar në Superiore. Për Ilir Dajën është e vështirë pasi skuadra e tij ka lënë pikë me skuadrat në pjesën e poshtme të renditjes.

“Në disa përballje me ekipe edhe më poshtë se Kastrioti kemi pasur probleme. Kështu që nuk mendoj se kemi një ndeshje të lehtë. Është e vështirë, pasi edhe ata duan pikë dhe të sigurojnë mesin e artë në fund të kampionatit. Ne duhet të drejtojmë lojën, t’u imponohemi dhe të bëjmë as më shumë e as më pak atë që bëmë kundër Bylisit”.

Në ndeshjet e tjera të javës së 28, Vllaznia udhëton në fier për sfidën me Apoloninë e vendit të fundit, Skënderbeu pret Teutën, pasi korçarët e eliminuan nga kupa e Shqipërisë, ndërsa Laçi luan me Bylisin.

Tv Klan