Në Kukës janë zhvilluar sot zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë Kukës, të cilat kanë shkuar të qeta dhe pa probleme.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka raportuar se kanë qenë rreth 20 mijë qytetarë të cilët i janë drejtuar kutive të votimeve nga 45 mijë e 946 që kishin të drejtë vote në Kukës për të zgjedhur kryetarin e bashkisë.

Në garë janë Emri Vata i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj i PS.

Emri Vata, i zgjedhur nëpërmjet procesit të primareve, vjen nga radhët e policisë ku ka mbajtur dhe poste drejtuese. Ndërsa Albert Halilaj ka mbajtur postin e prefektit të qarkut të Kukësit, dhe më herët kaq qenë në krye të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Kukës.


Ora 15:40 – Procesi i votimit për kryetarin e ri të Bashkisë Kukës vijon normalisht, akuza nga ana e “BF”

Që nga ora 07:00 e mëngjesit kur nisi dhe procesi i votimit për kryetarin e ri të Bashkisë Kukës, nuk ka pasur incidente.

Gazetari Enkel Xhangoli raporton për edicionin e lajmeve në Tv Klan se pjesëmarrja ka qenë e ulët në krahasim me 14 Majin, por nuk ka pasur vonesa, qoftë nga pajisjet e identifikimit biometrik apo dhe vonesa për shkak të incidenteve.

Nga ana e koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka pasur disa denoncime përsa i përket, sipas tyre, disa parregullsive që janë konstatuar pranë qendrave të votimit. Ata aludojnë se disa persona kanë ndikuar në vullnetin e qytetarëve për të votuar. Një gjë e tillë gjë nuk është konfirmuar nga ana e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, i cili ka vëzhguar nga afër procesin në disa qendra votimi.

Celibashi është shprehur se procesi ka vijuar normalisht, sikurse janë marrë edhe masat për procesin e numërimit, i cili pritet të fillojë pas orës 19:00.

Pasi ka hedhur votën në kutinë e votimit, kandidati i PS-së, Albert Halilaj, ju ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime. Nga ana tjetër, kandidati i “BF”, Emri Vata, ka bërë denoncime për rastet problematike që sipas tij i kanë konstatuar në terren.

Ora 10:02 – Gazetari Enkel Xhangoli nga Kukësi: Deri në orën 09:00 kanë votuar 1316 qytetarë


Ora 09:32 Voton kandidati i PS në Kukës: Qytetarët të zgjedhin alternativën e duhur

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit, Albert Halilaj, ka votuar mëngjesin e sotëm në shkollën “Bajram Curri”.

Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime dhe të zgjedhin alternativën e duhur për ta.

“Unë nga qytetarët e Kukësit pres një pjesëmarrje votimi, një masivitet në votime, për të zgjedhur alternativën e duhur, një djalë që do i shërbejë me të gjitha alternativat që ka shpalosur gjatë kësaj fushate. Unë përgëzoj gjithë qytetarët, banorët e Kukësit, është e vetmja fushatë gjatë këtyre 30 viteve në Kukës, që nuk kemi pasur një incident dhe i përgëzoj për vlerat që kanë përcjellë në këtë zonë.  Unë i uroj gjithë të mirën kuksianëve, i ftoj të votojnë alternativën më të mirë dhe më bindëse për këtë qytet të mrekullueshëm”.

Përballë Halilajt, garon Emri Vata nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”.

Zgjedhjet në Kukës po zhvillohen sërish për shkak të skandalit seksual të ish-kryebashkiakut socialist Safet Gjici.

/tvklan.al