Në Shkodër goditet grupi kriminal, në Lezhë shpallet në kërkim kreu i Njësisë Administrative Ungrej

Tre operacione antidrogë janë finalizuar nga policia, ku në pranga janë vënë 4 persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Aksionet e policisë për zbulimin e parcelave me kanabis janë zhvilluar në Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.

Në Shkodër, blutë në kuadër të operacionit Lotaj, goditën një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore që merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndëve, narkotike. Në pranga është vënë Florjan Gilaj, banues në Grudë e Re, ndërsa u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorët e tjerë.

Sipas policisë, ata akuzohen se në fshatin Lotaj, në një zonë të pyllëzuar, kishin kultivuar kanabis, ndërsa aty pranë u konstatua dhe një stan që ata e kishin përshtatur për të fjetur, vend në të cilin u gjet dhe një sasi lëndë narkotike marijuanë.

Në kultivimin e kanabisit janë përfshirë dhe zyrtarë vendor, ku sipas policisë është shpallur në kërkim kryetari i njësisë administrative Ungrej në Lezhë, Gëzim Kola. Së bashku me kreu i njësisë administrative, sipas burimeve të policisë është shpallur në kërkim dhe Gjergj Ndreca. Gjithashtu mësohet se nga policia e Lezhës është arrestuar dhe 55-vjeçari Zef Broci, pasi ndodhej në kërkim për kultivim të bimëve narkotike dhe gjykata i ka caktuar arrest me burg në mungesë.

Aksioni i policisë është shtrirë dhe në Delvinë, ku policia ka arrestuar në flagrancë një 49-vjeçar për kultivim kanabisi. Abedin Ogiçi, u ndalua nga blutë pasi në fshatin Vergo të Delvinës, iu gjetën dhe sekuestruan në banesën e tij disa fidanë kanabisi.

Klan News