Strukturat policore në DVP Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në zonën e Bulsharit, Mirditë, disa persona po tentonin të kultivonin bimë narkotike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një hetimi disajavor, kanë finalizuar me sukses operacioni policor të “Bulshar”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i Drilon Nikës, 30 vjeç, banues në Thumanë dhe Kledison Gjecit, 21 vjeç, banues në Bulshar, Mirditë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Bulshar”, Njësia Administrative Orosh, Mirditë, në një serë, kishin kultivuar në kubikë dhe në tokë fidanë narkotike kanabis. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një ambient që këta shtetas kishin përshtatur për strehim u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri automatikë, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”./tvklan.al