Kultivuan drogë në pyje, arrestohen 8 persona. 4 të tjerë në “arrest në shtëpi”

Kultivuan drogë në pyje, arrestohen 8 persona. 4 të tjerë në “arrest në shtëpi”

10:28 01/11/2020

Pas një hetimi 4-mujor, Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Gomeni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, ka caktuar masat e sigurimit për 14 personat nën hetim.

Arrest në burg“ për 8 shtetas: E. H., 28 vjeç, F. H., 21 vjeç, A. H., 27 vjeç, L. H., 32 vjeç, Q. H., 55 vjeç, G. H., 31 vjeç, P. H., 35 vjeç dhe D. H., 45 vjeç. “Arrest në shtëpi“ për 4 shtetas: R. A., 38 vjeç, E. V., 43 vjeç, A. T., 28 vjeç dhe A. V., 25 vjeç. “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” për shtetasin F. H., 39 vjeç, si dhe për shtetasin A. H., 38 vjeç, i cili nuk është gjetur në banesë”, njofton Policia.

Sipas Policisë këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike të llojit cannabis sativa, gjatë vitit 2020, në zona pyjore afër fshatit Herraj, në malin e Gomenit dhe në zona të tjera të Njësisë Administrative Zallherr, Tiranë.

Parcelat e tyre janë  zbuluar dhe asgjësuar në periudha të ndryshme kohore gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht./tvklan.al





Të ngjashme