Në këmbim qeveria do të detyrojë grumbulluesit të respektojnë kontratën

Kadri Sallaku prej vitesh kultivon duhan në tokën e tij në Dumre. Ai thotë se edhe këtë vit ndihet i zhgënjyer me punën e tij, pasi grumbulluesit e kësaj bime industriale nuk kanë respektuar marrëveshjen për të blerë të gjithë sasinë, ndërsa ofrojnë që t’ia marrin me gjysmën e çmimit.

Njësoj si Kadriu, në Elbasan ka qindra fermerë që kultivojnë duhan, jo vetëm në zonën e Dumresë , por edhe në shumë fshtatra të Shqipërisë.

Për të rregulluar këtë treg, qeveria është në prag të miratimit të një ligji, i cili do të detyrojë të gjithë fermerët që mbjellin duhan të marrin leje për sasinë e sipërfaqes dhe lëndës që mbjellin te agjencitë rajonale bujqësore.

Në këmbim të kësaj, atyre do t’u ofrohet garanci se grumbulluesi do t’i blejë 100% të lëndës që ka porositur, në të kundërt garancia bankare do të kalojë të fermeri brenda 30 ditëve.

Qeveria synon jo vetëm mbrojtjen e fermerit, por dhe zhdukjen e informalitetit te shitja e duhanit, i cili i kushton buxhetit të shtetit rreth 80 milionë Euro taksa çdo vit.

Afërsisht 30% e konsumit të duhanit në Shqipëri nuk paguan taksa. Për monitorimin e kultivitimit e shitjes së duhanit të grirë do të angazhohen edhe forcat e Policisë së Shtetit.

Tv Klan