Kreu i komunës për Klan Macedonia: Qytetarët po i respektojnë masat

Në Kumanovë është në fuqi kufizimi i lëvizjes, respektivisht ora policore që ka filluar mbrëmë në orën 21:00 dhe do të zgjasë deri të hënën në mëngjes në ora 05:00.

Qeveria dje mori vendim për regjim të posaçëm të lëvizjes në këtë qytet me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Kumanova radhitet si qyteti i dytë më i prekur në vend, me 89 të infektuar me COVID-19.

Kryetari i Komunës Maksim Dimitrievski ka përgëzuar qytetarët për respektimin e masave duke bërë thirrje se nuk ka vend për panik. Pushteti lokal thotë ai është në gjendje të ndihmojë të gjitha familjet e prekura.

 “Jam krenar që qytetarët e mi, natën e fundit kanë respektuar orën policore dhe nuk janë regjistruar shkelje. Në përgjithësi problemet janë të karakterit logjistik. Ndërkohë jemi duke plotësuar kapacitetet për ndihmë humanitare. KY është problemi kryesor që të furnizohemi më artikuj ushqimor dhe t`I përmbushim nevojat e qytetarëve. Paraprakisht jemi përgatitur për këtë situatë, në bashkëpunim me Këshillin lokal socio-ekonomik kemi siguruar donacione nga disa kompani, disa ndihma tjera nga Komuna dhe vazhdojmë ta bëjmë punën tonë”.

Qytetarët e Kumanovës, në përgjithësi kanë përshëndetur këtë vendim të qeverisë për të izoluar qytetin dhe për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Por, siç thonë, autoritetet duhet që me kohë ta njoftojnë popullatën rreth masave të kufizimit të lëvizjeve, për shkak se gjatë ditës së djeshme, lajmi u bë publik në orët e pasdites, gjë që shkaktoi konfuzion nëpër shitoret e qytetit.

Nga Komuna e Kumanovës përmes një komunikate u kanë bërë thirrje qytetarëve që nëse paraqiten simptoma që mund të jenë infeksione me koronavirus, të kontaktojnë mjekun e tyre amë dhe nëse dërgohen në spital të mos refuzojnë hospitalizimin nëse u rekomandohet nga mjeku kujdestar. 

Klan Macedonia