U çel sot Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Tiranë. Ky panair hap siparin e një jave të rëndësishme për turizmin në Shqipëri, që do të vazhdojë me takimin e 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferencën e Investimeve në Turizëm, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
E ftuar në ceremoninë e hapjes, ministrja Mirela Kumbaro, u shpreh se Tiranës i duhet një pikëtakim i tillë, pasi ka arritur të jetë një destinacion turistik i 365 ditëve të vitit dhe i paraprin një ngjarjeje historike si ajo e mbledhjes së Komisionit të Europës për UNWTO.
“Nëse objektivin 365 ditë turizëm nuk e kemi arritur në Shqipëri, në Tiranë e kemi tejkaluar. Tirana është një destinacion turistik. Edhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha të bashkisë së Tiranës. Tirana, arsyen kryesore për të cilën i tërheq sot turistët, siç thontë ata vetë, e ka sepse është një laborator i artit, arkitekturës bashkëkohore. Më vjen shumë mirë sot që në të gjitha raportet dhe kontaktet me partnerët kërkojnë vizitë turistike në Tiranë, që nga Sheshi Skënderbej deri tek liqeni që është një atraksion më vete falë rikualifikimit dhe gjithë ndërhyrjeve që janë bërë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ministrja Kumbaro gjatë fjalës së saj gjithashtu, u ndal tek shifrat dhe tek kërkesa e lartë për punësime në turizëm duke theksuar se po punohet për të arritur marrëveshje me vende të tjera në turizëm.
“Nëse arritëm 10.1 milionë vizitorë të huaj në vitin 2023, për dy muajt e parë të këtij viti ne e kaluam me 50% më shumë vitin e kaluar. Jemi duke parë një realitet, treg, biznese, që po ecin më shpejt se sa statistikat dhe nuk kemi më dyshqim që Shqipëria turizmin e ka industri kryesore, e ka pasaportën kryesore, e ka imazhin më të mirë. Dhe përtej shifrës 4,2 miliardë euro që hynë në ekonominë shqiptare vetëm nga turizmi vitin e kaluar, krahasuar me 2,8 miliardë euro të vitit 2022, përtej sektorit që punëson gjithmonë e më shumë, përtej faktit që po arrijmë marrëveshje me vende të tjera për të huazuar forca punëtore dhe burime njerëzore siç sapo kemi bërë me Filipinet dhe po vazhdojmë edhe me vende të tjera siç është Indonezia”, vazhdoi ministrja Kumbaro.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, vlerësoi ngjarjen historike që sjell në Tiranë ministra të të Turizmit nga gjithë Evropa, siç është takimi i 70-të i takimit për Evropën për UNWTO.
“Unë besoj që ka një moment për t folur edhe politikisht dhe më vjen mirë që jo vetëm do jenë ministrat e Turizmit nga gjithë Evropa në këtë organizim fantastik që ka bërë Mirela jonë e dashur, për të sjellë gjithë Evropën këtu, për të parë se si ky laborator turizmi mund të replikohet por unë besoj shumë fort që ne politikisht duhet ta shohim turizmin me më shumë dashuri”, u shpreh Veliaj.
Në fund të fjalës së saj, ministrja Kumbaro u shpreh se sfida këtë vit, nuk është me shfirat, është me cilësinë, është me standardin, në mënyrë që të gjithë ata që vijnë të ikin të kënaqur, por dhe me turizmin elitar./tvklan.al