Mbrojtësi shqiptar ndër më të aktivizuarit deri tani

Marash Kumbulla shikohet si një mbrojtës me të ardhme në Serie A. Angazhimi i tij me Verona si titullar ka dhënë rezultat.

Futbollisti i Kombëtares është veçuar mes të rinjve të aktivizuar më shumë ndër 5 kampionatet më të rëndësishëm në Europë nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve në Sport e Universitetit të Noishtalit në Zvicër.

Në këtë vëzhgim janë përfshirë futbollistët e lindur prej 1 Janarit të 2000. Marash Kumbulla rezulton të ketë luajtur 61% të minutave totale të skuadrës së tij. 19-vjeçari debutoi këtë sezon në Serie A, duke fituar menjëherë besimin e trajnerit Ivan Juriç.

Paraqitjet e tij tërhoqën vëmendjen e shumë ekipeve brenda e jashtë Italisë dhe me shumë mundësi sezonin e ardhshëm do ta shikojmë me një skuadër më të njohur. Në Serie A më të interesuarit për Marash Kumbullën janë Napoli dhe Inter.

Tv Klan