Kunati i Kostandino Kaçifas, Vangelis Sakellaris ka folur për mediat greke duke thënë se 35-vjeçari mund të ishte larguar drejt Greqisë nga mali, por nuk e bëri. Sipas tij, Kaçifa vendosi që të kthehej në fshat dhe të dorëzohej.

Kunati, edhe pse nuk ka qenë në fshatin Bularat ditën e ngjarjes, pretendon se 35-vjeçari Kaçifa u qëllua nga 15-20 metra kur ngriti duart lart.

Vangelis Sakellaris u shpreh për gazetarët grekë se Kostandino Kaçifa nuk vrau askënd, por shtoi se ishte në gjendje ta bënte nëse do të donte. Sipas tij, të shtënat e 35-vjeçarit ishin pa shënjestër.

Më tej ka thënë se Kaçifa donte të ndërtonte një kishë në fshat, por sërish pretendon se ishte vënë në shënjestër nga shqiptarët, që sipas tij, e konsideronin si nxitës të minoritarëve grekë.

Ashtu si të afërmit e viktimës, dhe kunati i qëndron variantit se familja Kaçifas u “terrorizua për 5 orë nga policia”. Madje, shkon më tej duke thënë se policia mori edhe dy thasë me arra dhe shegë që i kishte mbledhur më parë Kostandino Kaçifas.

35-vjeçari u vra ditën e dielë më 28 Tetor nga forcat RENEA gjatë shkëmbimit të zjarrit. Kaçifas ishte i pari që qëlloi me armë forcat e policisë dhe më pas tentoi të arratisej në kodrat e Bularatit.

Ndërkohë, trupi i Kostandino Kaçifas është dërguar ditën e djeshme në Mjekësinë Ligjore në QSUT në Tiranë për ekspertizë më të detajuar.

/tvklan.al