Akademia e Shkencave kundër Nobelit për Peter Handke

Posta

Akademia e Shkencave kundër Nobelit për Peter Handke

12:26 11/10/2019

 “Çmim që inkurajon urrejtjen dhe konfliktin”

Pas Akademisë së Shkencave të Kosovës edhe Akademia e Shkencave në Tiranë ka reaguar kundër dhënies së çmimit Nobel për Letërsinë shkrimtarit austriak, Peter Handke. Akademia e Shkencave e quan zhgënjyes vendimin.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë i është drejtuar me një letër Akademisë Suedeze për dhënien e çmimit Nobel në Letërsi austriakut Peter Handke. Në letrën drejtuar Akademisë Suedeze, shprehet zhgënjim i thellë për fituesin e këtij viti.

 “Për neve ka qenë një vendim shumë zhgënjyes, një vendim që na ka shqetësuar, ndoshta edhe më shumë se ata që kanë reaguar menjëherë pas shpalljes së laureatit të këtij viti. Kësaj radhe nuk ishte fjala për të shkelur një parim, ishte fjala për një dyfishësi standardesh. Kjo është arsyeja që edhe institucionalisht kemi reaguar ndaj këtij vendimi, e kemi refuzuar, kundërshtuar”, thotë anëtari i Akademisë së Shkencave, Shaban Sinani.

Akademiku Shaban Sinani thotë se nuk mundet që t’i jepet çmimi Nobel në Letërsi një personaliteti i cili promovon urrejtjen dhe racizmin në botë.

“Kemi shprehur indinjatë, e quajmë krejt pavend dhe paradoksi më i madh është që e njëjta Akademi që jep çmimin Nobel për paqen, jep një çmim për Letërsi që nuk e inkurajon paqen, por përkundrazi inkurajon racizmin, antagonizmin dhe bëhet palë me makineritë që kanë lënduar shqiptarët. Juria e Nobelit në Letërsi shumë herë ka bërë gabime, por kjo bën pjesë në atë që quhet gabime me dashje, sepse të laureosh një kandidaturë që parime të vetat etike ka urrejtjen, kjo shkon kundër çdo fryme përparimtare në Europë dhe gjithë botën”.

Për akademikun Sinani, më e keqja është nëse Akademia Suedeze nuk e rishikon vendimin.

“Ne do bashkohemi individualisht me peticionin dhe shpresoj të bashkohen dhe personalitete të tjerë, por nuk besoj që juria e Nobelit do e rishikojë çmimin, dhe kjo është më e keqja”.

Një ditë më parë reaguan ashpër ndaj vendimit të Akademisë së Nobelit, edhe Kryeministri Rama, ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj, ish-Kryeministri Berisha dhe personalitete të tjerë në Shqipëri e Kosovë.

Ndërsa këtë të premte reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha se të shohësh çmimin Nobel të shkojë për dikë që mbronte dhe justifikonte autorin e tmerreve më të mëdha në Europë pas Holokaustit, Sllobodan Millosheviçin, është tronditëse dhe revoltuese.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi