Trump: Personi i fundit që Rusia dëshiron ta shohë në detyrë jam unë

Kina, Rusia dhe Irani po tentojnë të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale amerikane, që do të mbahen në Nëntor të këtij viti. Paralajmërimi është bërë nga drejtori i kundërzbulimit amerikan, i cili tha se shtetet e huaja po përdorin dezinformime në internet dhe mjete të tjera për të ndikuar tek votuesit, të nxisin çrregullime dhe të minojnë besimin e votuesve amerikanë në procesin demokratik.

Sipas William Evanina, Kina po punon kundër rizgjedhjes së Donald Trump për një mandat të dytë në krye të Shteteve të Bashkuara ndërsa Rusia është kundër kandidatit demokrat Joe Biden. Madje sipas kreut të kundërzbulimit “aktorët e lidhur me Kremlinin” gjithashtu po përpiqen të “forcojnë kandidaturën e Presidentit Trump përmes mediave sociale dhe televizionit rus”.

Por kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se armiku i madh i tij është Rusia.

“Unë mendoj se personi i fundit që Rusia dëshiron ta shohë në detyrë është Donald Trump, sepse askush nuk ka qenë më i ashpër mbi Rusinë sesa unë, kurrë”.

Zgjedhjet e këtij viti do të jenë të pazakonta për amerikanët. Pandemia do të detyrojë që një pjesë e mirë e qytetarëve të votojnë me postë, që në praktikë do të thotë një proces i gjatë dhe një pritje agonike për fituesin. Për këto arsye, por edhe për mundësi të lartë manipunimi, Trump është kundër votimit me postë.

Tv Klan