Presidenti i SHBA Donald Trump krijoi një grup pune për t’u përgatitur për Kupën e Botës 2026. Kompeticioni më i rëndësishëm i futbollit në botë do të mbahet në Amerikën e Veriut, ndërsa mes të treja shteteve ka tension për shkak të vendosjes së tarifave nga qeveria amerikane.

Ndërsa përplasjet verbale mes liderëve të tre shteteve nuk kanë munguar, për presidentin e SHBA, tensioni është një gjë e mirë.

Task-forca, të cilën Trump do ta kryesojë, do të koordinojë sigurinë nga qeveria federale dhe planifikimin për organizimin e turneut, nga i cili priten që të vijnë miliona turistë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

“Do të jetë një event i madh, mendoj unë! Të gjithë e njohin Gianni Infantinon. Është një lloj mbreti i futbollit, në njëfarë mënyre mendoj unë! Dhe ai na ndihmoi që këtë event ta organizonim ne! Dhe ne do të bëjmë një punë fantastike, e që tifozët të ndihen si në shtëpi! Hera e parë që organizohet në këtë pjesë të botës dhe është nder! Tensionet me Kanadanë e Meksikën? Janë gjë e mirë, do ta bëjë këtë më emocionuese”, tha Trump.

Edhe presidenti Gianni Infantino tregoi impaktin e këtij eventi në Amerikën e Veriut.

“Amerika do të presë botën! Do të jenë me miliona njerëz që do të vijnë! Zoti president, miliona njerëz. Impakti ekonomik është 40 miliardë dollarë këtë vit dhe tjetrin! 200 000 vende pune do të krijohen. E përveç kësaj do t’ju dhurojmë lumturi! E kjo nuk ka çmim! Faleminderit zoti president për këtë task force, sepse ka rëndësi që çdokush që vjen në Amerikë të ndihet i sigurt dhe i mirëpritur”, tha Infantino.

Në Kupën e Botës 2026 do të marrin pjesë 48 skuadra. Eventi do të organizohet nga 11 qershor deri në 19 korrik 2026. Gjatë turneut do të luhen 104 ndeshje në vend të 64 sfidave në eventet e mëparshme.

Klan News