Dezinfektohet para ndeshjes stadiumi “San Paolo”

Pas kualifikimit të Juventus, finalistja tjetër e Kupës së Italisë do të vendoset mbrëmjen e sotme mes Napolit dhe Interit. Në “San Paolo” do të luhet akti i dytë i kësaj sfide. I pari u fitua nga Napoli në “San Siro” me një gol të Fabian Ruiz.

Gattuso nuk duhet të motivojë skuadrën e Napolit pasi rezultati i ndeshjes së parë i favorizon dhe futbollistët e tij mund të jenë disi më të qetë e të organizuar.

Presioni bie kështu mbi Interin që është 9 pikë larg vendit të parë të renditjes dhe titulli duket thuajse i pamundur këtë sezon. Në këtë ndeshje, për Interin do të mungojnë 3 lojtarë. Diego Godin, Danilo D’Ambrosio dhe Matia Vesino nuk kanë qenë të gatshëm dhe nuk janë grumbulluar nga tekniku Conte.

Edhe Napoli është larg dhe kupa e Italisë, përfaqëson një mundësi të mirë për të justifikuar sezonin, pasi Napoli rrezikon edhe zonën europiane. Rikthimi i skuadrave italiane në stadiume u shënua një natë më parë në ndeshjen Juventus-Milan që përfundoi në barazim pa gola.

Por si do të jetë të luhet pa tifozë në “San Paolo” të Napolit, si do të respektohen masat e rrepta të sigurisë shëndetësore?

Janë të shumta dilemat që do të përballen skuadrat, por si është thënë gjithë, asgjë nuk është e pamundur dhe futbolli do të mësohet të jetojë me këto kushte. 

Stadiumi në Napoli është bërë gati, çdo ambient ku do të ketë prani të futbollistëve dhe stafeve teknike është spërkatur me substanca higjienizuese. Po ashtu pankinat dhe tribunat e gazetarëve. 

Tv Klan