Kukësi dhe Tirana mbeten favorite

Kupa e Shqipërisë do të luajë aktin e parafundit të saj me ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve. Të dy sfidat janë të hapura. Tirana dhe Kukësi, që kryesojnë në kampionat, janë favoritë për të kaluar në finale. Teuta-Kukësi mbetet e hapur, pasi e para përfundoi në barazim pa gola.

Pavarësisht se luhet në Durrës, verilindorët shihen favoritë, pasi mund të kualifikohen edhe me një barazim me gola. Grupit i janë bashkuar edhe dy futbollistët e dëmtuar, Shkurtaj dhe Obanor, ndaj trajneri Shehi e ka ekipin të plotë.

Bardheblutë e Tiranës, pavarësisht se humbën 2-1 në Ballsh përballë Bylisit, në atë ndeshje e dyshuar si e trukuar, do të kërkojnë përmbysjen. Do të mjaftonte edhe një fitore 1-0 për t’u kualifikuar.

Tirana-Bylis do të luhet në orën 17:45 në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa Teuta-Kukësi në orën 20:45 në “Niko Dovana”.

Tv Klan