FIFA ka mbështetur propozimin që Kupa e Botës të mbahet çdo dy vjet. Mirëpo kjo kundërshtohet nga UEFA dhe klubet e mëdha europiane. Arsene Wenger, Drejtuesi për Zhvillimin e Futbollit Global në FIFA ka promovuar idenë si pjesë e rishikimit të organizimit të kalendarit të ndeshjeve ndërkombëtare dhe këtë javë mbështeti sërish mendimin e tij për ta ndryshuar traditën e organizimit të kompeticionit çdo katër vjet.

Burime për Reuters nga klubet europiane kanë thënë se çdo propozim i FIFA-s do të hasë rezistencë nga qeveria europiane e futbollit, UEFA, dhe Federata e Klubeve Europiane. Në një letër dërguar fansave të futbollit, Presidenti i UEFA-s, Aleksandr Ceferin tha se ka shqetësime rreth komunitetit të futbollit mbi këtë plan që po kërkohet të vihet në zbatim nga ish-trajneri i Arsenalit.

Plani i Wenger është që një Kupë Bote të ndiqet çdo vit nga një kampionat kontinental siç janë Europioani dhe Kupa Amerikane. Por kjo do të thotë se nuk ka asnjë verë për të organizuar Kupën e Botës së Femrave dhe turnetë e tyre Kontinentale. “UEFA dhe federatat kombëtare kanë rezerva dhe shqetësime të mëdha mbi planet e raportuara të FIFA-s”, tha Ceferin.

FIFA ka deklaruar se po zhvillohen konsultime mbi propozimin dhe do të vazhdojnë muajt e ardhshëm me të gjithë aktorët duke përfshirë konfederatat dhe federatat anëtare.

“Qëllimi i konsultimeve është të bëjmë një analizë gjithëpërfshirëse për të marrë parasysh pikëpamjet e ndryshme në interes të futbollit botëror. Nuk ka objektiva të përcaktuara dhe FIFA është e hapur për të gjetur zgjidhjen më të mirë në të mirë të futbollit”, tha një zëdhënës i FIFA-s.

Pothuajse e sigurtë është fakti që klubet dhe ligat europiane janë kundër këtij projekti. Në Maj të këtij viti, në Kongresin e FIFA-s u votua për të mbajtur një studim fizibiliteti që të mbahet Kupa e Botës për meshkuj dhe për femra çdo dy vjet.

Propozimi fillestar erdhi nga Federata e Futbollit e Arabisë Saudite. 166 federata votuan pro dhe 22 kundër. Atëherë Presidenti Gianni Infantino shtroi pyetjen nëse sistemi aktual i kualifikueseve është modeli më i mirë. “Do ta diskutojmë, do ta analizojmë”, tha ai.

Çdo ndryshim në Kupën e Botës kërkon që votim në Kongresin e FIFA-s të bëhen nga 211 federatat kombëtare të futbollit të anëtarësuara. Kupa e ardhshme e Botës do të mbahet në Nëntor të vitit 2022 në Katar, ndërsa tjetri në SHBA, Meksikë dhe Kanada në vitin 2026./tvklan.al