Futbollistët e Kombëtares e pranojnë që ekipi po kalon një krizë. Humbja me Skocinë ishte tepër e rëndë për të mos evidentuar problemet.

“Po kalojmë një moment të vështirë, jemi në krizë, por duhet të vazhdojmë me kokën lart dhe të mos përsërisim gabimet që kemi bërë”, tha Eros Grezda.

Ndërsa Ardian Ismajli tha se “kështu e ka futbolli, herë fiton, herë humbet, por unë besoj që shumë shpejt do të kthehet Shqipëria e Europianit dhe ka për të kaluar kjo krizë dhe do të kemi rezultate të mira.”

Mërgim Mavraj penalizoi ekipin me daljen me karton të kuq. Kapiteni reagoi edhe një herë me një mesazh në rrjetet sociale. Mavraj kërkoi falje për atë moment dobësie. Qendërmbrojtësi thotë se ai pranon kritikat, por jo diskutimin mbi respektin dhe dashurinë për fanellën kuqezi.

Të dielën Kombëtarja zbriti në fushën e stërvitjes pas disfatës së thellë me Skocinë. Një seancë që nisi me Christian Panuccin që grumbulloi lojtarët në cepin e fushës sa më larg gazetarëve. Trajneri foli me ta për rreth 15 minuta dhe komunikimi ishte me tone të larta.

“Trajneri na foli për problemet që kishim. Secili lojtar dha mendimet e veta se ku çalon, ku duhet të përmirësoheshim”, tha Grezda.

Shqipëria po përgatitet për miqësoren e 20 nëntorit me Uellsin.

Tv Klan