Në intervistën e sotme në “Opinion”, strategu i fushatës së demokratëve Chris LaCivita foli edhe për marrëdhënien e tij me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Ai tregoi se në 3 vitet e fundit ka qëndruar krah tij si bashkëmenaxher i fushatës, duke theksuar se Trump është i njëjti person edhe jashtë kamerave.
“Gjatë fushatës gjatë këtyre 3 viteve të fundit kam qenë bashkëmenaxheri i fushatës, ka qenë Susie Wiles dhe unë. Çdo ditë fluturonim në të njëjtin avion me Presidentin. Ka një sens humori shumë të mirë. Është shumë i motivuar dhe i vendosur. Gjithmonë çuditesha nga energjia e tij e pastër që gjithmonë ka pasur Presidenti. Në fund të një dite 18 orëshe ajo që unë doja të bëja ishte të shkoja te avioni e të flija, të dremisja, ndërkohë ai bënte telefonata e fliste me njerëz. Është shumë energjik! Është jashtëzakonisht shumë energjik. Është i pareshtur. Po ashtu, Presidenti Trump është në nxitim. Është shumë në nxitim që t’i bëjë gjërat…”, tha LaCivita.
Gazetari Blendi Fevziu citoi aludimet më të shpeshta që kanë qarkulluar sa i takon njerëzve që punojnë për Trump. LaCivita i rrëzoi këto të fundit, duke u shprehur se Trump konsultohet me ekipin e tij dhe madje i organizon.
“E bënte punën tonë më të lehtë ngaqë e vendoste vetë tonin dhe agjendën dhe si do të bëheshin gjërat dhe puna jonë ishte të ofronim një strukturë pas tij që të siguroheshim që do ta mbështesnim në gjërat që donte të bënte dhe gjërat që donte të thoshte dhe asnjëherë të mos dilnim përpara shefit. Kur Presidenti Trump zemërohet ose dëshiron të transmetojë diçka, është 100% i sinqertë dhe njerëzit e shikojnë atë gjë. Dhe ai nuk e fsheh… I lë të gjithë ta kuptojnë. Megjithatë ka një kapacitet shumë të madh për të falur. Një kapacitet shumë të madh. Ka mirëpritur njerëz që i janë kthyer pasi ata e kanë kundërshtuar atë. E kupton këtë gjë”, përfundoi LaCivita.
/tvklan.al