Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për vendimin e Shqipërisë për të mirëpritur refugjatët afganë, në një intervistë për italianen Huffington Post Italia, ku mes të tjerash zbulon edhe arsyet përse ata u vendosën në struktura hoteliere.   

Shqipëria ishte vendi i parë që njoftoi se do të mirëpresë refugjatë nga Afganistani, çfarë ju shtyu në këtë nismë?

Gjëja më e natyrshme: Të hapësh derën kur në anën tjetër është dikush që kërkon ndihmë. E di që të thuash kështu mund të tingëllojë patetike për ata që mendojnë ndryshe, por për fat të mirë për shumicën dërrmuese të shqiptarëve kjo tingëllon e natyrshme. Ne jemi i vetmi vend europian që numërontee më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa para luftës, sepse për shqiptarët nuk kishte asgjë më çnderuese sesa të ktheheshe nga ana tjetër e t’i lije të vdisnin. Na imponohet nga historia jonë, kujtesa jonë dhe nga Kushtetuta jonë e parë, Kanuni: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut. Kanuni përmban një kapitull të gjatë mbi mikpritjen. Thuhet se ai që nuk i hap derën tjetrit, që kërkon ndihmë, është i mallkuar përgjithmonë dhe do të jetojë i vetëm deri në vdekje, sepse nuk do të pranohet në asnjë vend apo event publik, përveçse në varrime. Por përtej kësaj, ashtu siç kemi dhënë mikpritje, në të shkuarën kemi marrë shumë, jo shumë vite më parë, kur ishim ne afganët që shfaqeshim në brigjet e Italisë. Faleminderit mbi të gjitha italianëve që makthi i së shkuarës është histori, ndërsa sot shqiptarët kontribuojnë në Itali si qytetarë tërësisht të integruar dhe gjithashtu atdheu përfiton shumë.

Si po shkon pritja? Kanë mbërritur tashmë refugjatët e parë? Si do të jetë jeta e tyre e re në Shqipëri?

Kjo është ana tjetër e tragjedisë së Kabulit, sepse të dalësh prej andej është vërtetë si të hapësh dyert e daljes të Ferrit. Pas ditësh e netësh të njoftimit të fluturimeve dhe anulimit të tyre, erdhëm më në fund të parët. Janë sistemuar në Durrës, në strukturat hoteliere, njësoj siç bëmë me qytetarët tanë pas tërmetit, sepse duam që të marrin frymë sa më normalisht dhe jo t’i izolojmë në kampe refugjatësh ku rrezikojnë të trajtohen në mënyrë çnjerëzore që sjell edhe problem dhe ndarje mes refugjatëve.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria ndihmon ata që janë në nevojë, kujtojmë mjekët shqiptarë gjatë periudhës më të vështirë të Covid në Itali, vitin e kaluar,. Edhe në këtë rast, ishit ndër të paërët që dërguar ndihmë…

Siç u përpoqa të shpjegoj më herët, kjo lidhet me identitetin tonë, kush jemi, por gjithashtu ka të bëjë me atë që duam të jemi. Duhet të mendojmë për atë që duam t’u lemë trashëgimi brezave të ardhshëm, në një botë ku vetë historia jonë na ka mësuar se ka një kohë për të kërkuar ndihmë dhe një kohë për të dhënë. Si mund të harronim çfarë ka bërë Italia për ne duke na shpëtuar në kohë të errëta dhe të dhimbshme, duke parë sesi vetë Italia digjej nga dhimbja dhe nuk mund të merrte frymë nën presionin e jashtëzakonshëm të virusit? Sigurisht 30 mjekët e infermierët tanë nuk ishin aspak të mjaftueshëm për të shuar të gjitha shpërthimet që mbuluan vendin tuaj, por ne donim të ishim krah jush, të ishim pjesë e përpjekjes suaj të madhe për të pasur sukses dhe të tregonim solidaritetin dhe mirënjohjen tonë jo vetëm me fjalë.

Sot, si Italia ashtu dhe Shqipëria po përballen me një valë të re të Covid. Si po ia dilni me menaxhimin e situatën?

Kam përshtypjen që jemi të pajisur më mirë mbi të gjitha nga pikëpamja psikologjike, sepse koha e furisë dhe tmerrit nga surpriza e virusit, është pas shpatullave, edhe pse duket herët për të festuar fundin e këtij armiku të egër të padukshëm. Do të duhet të vijojmë të luftojmë me durim për të shpëtuar jetë, dhe për ta mbajtur situatën e infektimeve nën kontroll. Vijojmë të monitorojmë situatën nëpërmjet Komitetit Teknik të Ekspertëve, dhe përpiqemi të qëndrojmë pragmatikë, duke marrë vendime në bazë të eksperiencës së akumuluar nga të dhënat shkencore që kemi në dispozicion. Sigurisht, politikanëve gjithandej do t’u leverdiste që të ishin më pak të interesuar dhe ta shfrytëzonin virusin për shfaqjet e tyre, shpesh pa vend. Por siç thoshte legjendari Donald Trump: “it is what it is”.

Në Itali ka një debat të madh për rihapjen e shkollave, po në Shqipëri a do të keni mundësi t’i çoni studentët në klasa pavarësisht pandemisë?

Shpresoj që po, por duhet ta shtrëngojmë më shumë vaksinimin e të gjithë atyre që duan ta vazhdojnë vitin akademik në klasa dhe auditorë.

Si po vijon vaksinimi në Shqipëri? A është e lehtë të vaksinosh shqiptarët?

Ka edhe në Shqipëri nga ata që besojnë në komplotin e forcave okulte për të kontrolluar trurin tonë përmes vaksinave, apo në teori të tjera të ndryshme qesharake konspirative. Por ne jemi shumë aktivë me fushatën që fton të gjithë qytetarët të vaksinohen, duke u përpjekur të shpjegojmë pse është e rëndësishme, si për veten e tyre ashtu edhe për të tjerët. Dhe jemi mjaft të kënaqur se si ka shkuar deri më tani, me një shumicë të mirë të të rriturve të vaksinuar.

Në dy mandatet e para keni qenë mjaft të angazhuar në përpjekjet për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian, si po vijon kjo rrugë?

Nuk bëhet më thuajse fare fjalë për ne dhe për atë çfarë ne bëjmë, por për ata dhe atë që i përndjek. Unioni është në një fazë ngërçi, me shenja mjaft shqetësuese të ndarjeve e copëtimeve të brendshme. Duket se nga kriza e madhe e refugjatëve të konfiktit në Siri ka humbur jo vetëm sharmin e saj më të madh, por edhe busullën e orientimit, kur bëhet fjala për të menduar për zgjerimin e Ballkanit. Sipas meje, ky është shembulli më i qartë e të qenit peng e nacionalizmit të saj në shtëpi të vet, e që është për të ardhur keq sepse është një projekt që lindi pikërisht për të luftuar këto nacionalizma, gjë që Ballkani po arrin ta bëjë me rezultate edhe më të bujshme, nëse shohim nga ku jemi nisur. Por për ne, popujt dhe shtetet ballkanike, Europa mbetet gjithnjë një qëllim, duke marrë parasysh të shkuarën me lufta botërore e me miliona jetë të humbura që kanë ngritur atë që ka qenë vizioni i baballarëve themelues, një hapësirë demokratike e paqes, drejtësisë e bashkëpunimit mes popujve, jo një bankomat apo një ligë egoizmash nacionaliste.

Ky muaj ishte 30 vjetori i zbarkimit të 20 mijë shqiptarëve në anijen Vlora në Bari, një kujtim që është ende shumë i gjallë në Itali, si u përjetua në Shqipëri?

Unë do të jem në Otranto më 3 Shtator sepse nuk do të mund t’i themi kurrë mjaftueshëm faleminderit vëllazërisë së Italisë për pritjen e shqiptarëve 30 vjet më parë. Një shembull zemërgjerësie që duhet të frymëzonte edhe debatet e sotme në botën tonë mbi mikpritjen dhe emigracionin./tvklan.al