Nëse shkon në Gjykatën Supreme zgjat me muaj

Se kush do t’i drejtojë Shtetet e Bashkuara në 4 vitet e ardhshme, kjo mund të dojë disa javë për t’u përcaktuar. Këtë mund ta marrim vesh edhe vitin tjetër, nëse presidenti aktual Donald Trump e ankimon numërimin e votave në Gjykatën Supreme, pasi ka hedhur akuza për manipulim të rezultatit gjatë këtij procesi.

Por që çështja të arrijë deri në shkallën më të lartë të gjyqësorit, ajo duhet të kalojë në shkallët më të ulëta, një procedurë për të cilën nevojitet një afat prej disa javësh.

Megjithatë, në disa shtete federale, fjalën e fundit e kanë legjislaturat e shteteve federale si në rastin e Floridës. Në vitin 2000, shumica republikane në kongresin e këtij shteti federal vendosi që të gjithë delegatët të mbështesnin George Bush-in e ri, pavarësisht se Al Gore e kishte ankimuar çështjen në Gjykatën Supreme duke kërkuar rinumërim me dorë të të gjitha votave dhe procesi ishte në vazhdim.

Demokrati Al Gore zgjodhi të mos e vazhdojë betejën ligjore në atë kohë, por kjo ka pak gjasa të ndodhë me Trump-in, i cili duket i vendosur ta fitojë me çdo kusht mandatin e dytë.

Afatet kushtetuese parashikojnë që deri në 8 Dhjetor të kenë marrë zgjidhje të gjitha ankesat për procesin zgjedhor. Por me shumë gjasa, këtë herë ky afat do të kapërcehet duke shkuar madje përtej 14 Dhjetorit kur 530 zgjedhësit e kolegjit mblidhen për të votuar për presidentin e ri.

Megjithatë, ekspertët parashikojnë se mes një klime tepër të tensionuar, nisur edhe nga situata e Covid-19ës apo trazirat ende të freskëta prej protestave anti-raciste, vendi mund të zhytet në kaos nëse këto paqartësi zgjasin. Duke e parashikuar këtë, Donald Trump ka rrethuar me mur provizor rezidencën presidenciale në Uashington.

Tv Klan