Që prej krijimit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të shumta janë rezultatet që priten prej saj.

Arben Kraja, drejtuesi i SPAK, duke folur nga një konferencë mbi prokurorinë tha se ka shumë sfida përpara.

Ai u shpreh se rezultatet e SPAK do t’i shohim në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Sipas tij, prokurorët janë të përgjegjshëm dhe kur të merret një vendim ai do të jetë i matur dhe i bazuar në prova.

“SPAK është një strukturë e re. Themi që fillimi është i mirë. Ka shumë sfida përpara, që kanë të bëjnë me plotësimin e strukturës, ndërtimin nga pikëpamja administrative, por më kryesorja është arritja e rezultateve në hetim. Ne jemi fazën e rekrutimit apo krijimit të BKH-së, është elementi më i rëndësishëm i strukturës sonë. Ajo që unë e di që të gjithë njerëzit presin është rezultate, rezultate. Por duhet t’ju garantoj diçka, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë jo vetëm të pavarur, por edhe të përgjegjshëm. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që kur do të merret një vendim, do të jetë një vendim i matur, i bazuar në prova dhe nuk do të ketë diskutime të mëtejshme. Në këtë sens kjo kërkon kohën e duhur. Janë raste që ne jemi kolegë, shohim raste edhe jashtë vendit, zgjasin me 2-3 vite hetimet që të kemi raste konkrete. Megjithatë nuk them se do të jemi në ritmin e 2-3 viteve, por do të jemi konkret në kohën e duhur me rezultatet e duhura. Këtë jua garantoj sepse të gjithë prokurorët e kanë objektiv tek vetja e tyre”, tha Kraja, i cili shtoi se prokurorëve të posaçëm duhet t’i garantohen kushtet për të realizuar detyrën që kanë marrë përsipër.

Ndër të tjera Kraja tha se të gjitha institucionet duhet të koordinojnë forcat ndërsa theksi i hetimeve duhet të vendoset tek pasuritë kriminale.

“Ne kemi nevojë që të koordinojmë forcat me njëri-tjetrin. Mjafton t’i kthehemi hetimeve pasurore, ligji parashikon që hetimet janë të ndara. Duhet të kenë një metodologjikë të qartë pavarësisht se kush i heton dhe duhet të kenë një synim të qartë evidentimin e pasurisë kriminale, marrjen nga personat që e zotërojnë për të mos e përdorur dhe për të mos korruptuar sistemin e drejtësisë si dhe vendosjen në dispozicion të shtetit”.

Të pranishëm në konferencë ishin ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim; ambasadori i BE-së, Luigi Soreca; ministrja Etilda Gjona, kreu i KLP-së; Gent Ibrahimi; kryeprokurori Olsian Çela dhe ambasadori Borchardt /tvklan.al