Presidenti duhet të vendosë brenda dy ditëve pasi merr informacionin nga Celibashi

Edhe pse partia më e madhe opozitare nuk është në kushte më optimal për t’u përballur me shumicën qeverisëse, Presidenti Ilir Meta nuk ia kurseu një të tillë. Pas më shumë se dy vitesh dekretoi zgjedhjet për 6 bashkitë të cilat nuk kanë kryetar të mandatuar nga qytetarët.

Klan News ka zbardhur shkresën që Presidenti Meta i ka dërguar kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, për të marrë informacion mbi këto bashki, në mënyrë që të vijohet më pas me procedurat për zgjedhjen e krerëve të tyre.

Por sipas Kodit Zgjedhor, kur pritet që Presidenti Meta të shpallë datën e zgjedhjeve?

Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit.

Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese.

Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.

Pra, Presidenti do duhet të dekretojë datën brenda dy ditëve nga momenti që merr informacionin e kërkuar nga Ilirjan Celibashi.

Klan News