Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha ka treguar se e ka njohur që në vitin 1991 Lulzim Bashën. Asokohe, Berisha tha se Basha shoqëronte një mjek të njohur, ndërsa vetë kreu aktual i PD-së ishte gjimnazist.

“Lulzim Bashën e kam njohur në vitin 90-91, shoqëronte një mjek që punon për të drejtat e njeriut në Kosovë ai mjeku. Atëherë Lulzimi ishte gjimnazist. Shkoi për studime në Holandë dhe i njihja. Njihja të shoqën, Aurelën që punonte me një think tank të Instituti Demokratik Amerikan. Kisha një njohje, kontakte jo të afërta, por  kkisha një njohje”, tha Berisha.

Por pse e përfshiu Bashën në qeveri në vitin 2005?

“Mora një seri nga këta që punonin me armikun në Kosovë, sepse këta ndërtuan taksat aty, ndërtuan drejtësinë aty. E dyta, këta u farkëtuan në marrëdhëniet ndërkombëtare, kishte një komunikim dhe mendoj se u treguan të shkëlqyer në administratën time. Nga Kosova ka ardhur, Florian Mimaj, Petraq Milo, Edith Harxhi, kanë ardhur shumë prej tyre. Kanë ardhur dhe kanë dhenë kontribut shumë të madh”.

Berisha foli edhe për përzgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD-së.

Blendi Fevziu: A e përzgjodhët ju Lulzim Bashën në krye të Partisë Demokratike?

Sali Berisha: Absolutisht jo!

Blendi Fevziu: Nuk ndërhytë fare në proces?

Sali Berisha: Jo. Erdhi dhe më tha. Pas tij erdhi i ndjeri Sokol Olldashi.

Blendi Fevziu: Nga nënkryetarët tuaj?

Sali Berisha: Asnjëri. Vetëm këta të dy erdhën dhe që të dy u mbështetën. Unë mendova që udhëheqja tjetër e partisë të mos lobonte as për njërin as për tjetrin. KËtë u kujdesa unë që partia të ishte indiferente. Për të mos krijuar çarje./tvklan.al