“Kur erdhi policia zbulova që djali nuk ishte në shtëpi”. Misteri i zhdukjes së 3 të rinjve, flet nëna e një prej tyre



“Kur erdhi policia zbulova që djali nuk ishte në shtëpi”. Misteri i zhdukjes së 3 të rinjve, flet nëna e një prej tyre

14:39 05/10/2020

Që prej ditës së shtunës, për Vilson Çutajn, Danjel Pepajn dhe Klement Pepajn nuk dihet asgjë. Fati i tre kushërinjve nga Malësia e Madhe në Shkodër, nuk dihet. Ishte vëllai i njërit prej tyre i cili shkoi të dielën në polici dhe kallëzoi se kishte humbur kontaktet.

Të shqetësuar për djalin e tyre, prindërit e Klement Pepajt dolën sot para gazetarëve. Nëna e tij tregoi se i biri kishte dalë për të pirë një kafe dhe do të kthehej sërish, por kjo nuk ndodhi. Ajo tregon se kur policia shkoi në shtëpinë e tyre, besonte se i biri ishte në gjumë. Pikërisht në këtë moment zbuloi të vërtetën.

Ndërsa babai i tij Ndue Pepaj thotë se ka informacione se janë dëgjuar krisma armësh, por mohon të ketë dijeni për konfliktet e të birit. Ndonëse kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin, babai i Klementit thekson se dyshimet kryesore për këtë ngjarje i ka tek 25-vjeçari Daniel Pepaj.

Nëna: Unë isha në shtëpi edhe djali ishte në shtëpi, ai kishte të veshur një xhup me mëngë të shkurtra, u nis për në qendër. I them Kel do e marrësh xhuboksin? Tha, do të pi një kafe e do të vij. Që atëherë unë nuk e kam parë më.

Gazetari: A ka shfaqur djali ndonjë nervozizëm?

Nëna: Jo asnjë gjë. Nuk kemi ditur asnjë gjë.

Gazetari: Çfarë thotë policia?

Nëna: Ne nuk kemi ditur gjë deri sa ka ardhur policia në orën 3 të natës dhe thërrasin jemi policia. Kur dalim, ata pyesin se ku është Keli, atë natë nuk kishim as drita. Unë ju them se Keli do jetë duke fjetur, se ne nuk kishim drita dhe do ketë ardhur pak më vonë. Kur shohim, djali nuk ishte. Atëherë na morën në rajon të policisë, i treguam gjithë çfarë dimë.

Gazetari: A i keni thirrur jo policinë apo?

Nëna: Ne nuk i kemi thirrur, se nuk kemi pas pse.

Babai: Denoncimin në polici e ka bërë Ols Çutaj, vëllai i Vilson Çutës. Se kur e ka marrë në telefon djalin e dajës, nuk ia ka hapur telefonin.

Gazetari: Çfarë marrëdhënie kanë pasur mes tyre të tre të rinjtë, a kanë dalë shpesh me njëri-tjetrin? Përveç se jeni të afërt?

Babai: Faktikisht të tre jemi të afërt, njëri që thonë se ka pas konflikt me djalin e dajës së tij, është djali i kushëririt tim. Këta kanë marrë drejtim si iu kanë thënë të tjerët. Drejtim të malit dhe asnjë nuk është kthyer deri tani. Vetëm nëse i zë policia, se unë s’di gjë.

Gazetari: Klementi ka jetuar vazhdimisht në Shqipëri apo ka qenë edhe jashtë shtetit?

Babai: Klementi ka ardhur para një viti në Shqipëri, e kanë ekstraduar nga Zvicra, ishte një herë në Francë, atëherë e kanë kthyer nga Lozana e Zvicrës. Dhe ka punuar në një kioskë të vogël që e kemi te fusha e sportit, jo se është djali im, por është djalë punëtor dhe ka punuar sa ka pas mundësi. Kam frikë se e ka implikuar dikush te ndonjë problem.

Gazetari: Dyshoni për çështje droge?

Babai: Sipas versionit që i kanë dhënë policisë disa bashkëfshatarë tanë, kanë thënë se ka pas probleme droge në këtë pune.

Gazetari: Mes kujt është konflikti nga këta tre, keni ndonjë ide?

Babai: Saktë nuk e di, por sipas policisë, djali i axhës është parë me armë, automatik, Danieli. Kurse për djalin tim dhe Vilsonin nuk dihet asnjë gjë. Këto janë të gjitha thënie dhe nuk e di a janë të vërteta, mund të jenë hamendje për të krijuar konflikt. Unë nuk kam qëllime konflikti, s’ia bëj as armikut.

Gazetari: Cili është apeli që keni ndaj strukturave të shtetit?

Nëna: I lutemi shtetit dhe policisë që ta gjejnë djalin, sa më shpejt.

Babi: Jo se s’kemi bashkëpunim me policinë, me aq fuqi sa kanë. Por i kërkoj edhe Ministrit të Brendshëm të verë në dispozicion çdo lloj mjeti që mundet nga toka e nga ajri, që të paktën të dimë a është i vdekur e t’i sjellim kufomat në shtëpi. Këtë ia kërkoj Ministrit, Kryeministrit e Forcave të Rendit të Malësisë së Madhe, të Qarkut të Shkodrës.

Gazetari: Sipas policisë a e keni idenë se deri kur e ka pas vendndodhjen në telefoni djali juaj, celularë?

Babai: Deri nga ora 4, sepse kam pasur bashkëpunim vazhdimisht me policinë vetë, se na kanë marrë në orën 3 parmbrëmë, kur ne nuk dinim asgjë, unë kam menduar se djalin e kam brenda në shtëpi. Se ndonjëherë vonohej kur dilte me shokët për kafe. Kur me kanë thirr që janë policia e Malësisë së Madhe, i kam kërkuar të presin sa te vishemi gruaja, vajza e unë, se s’kishim as drita, me një çakmak  me dritë u bëmë gati. Na kanë marrë në Malësi të Madhe, na kanë pyetur për gjithçka, unë se di që kanë pasur konflikt. Aty në Malësi të Madhe më kanë treguar se kanë pasur konflikt e se di ku janë përleshur, djali im me Vilsonin dhe Danielin.

Gazetari: Telefoni deri ku ka rezultuar, deri në momentin e fundit?

Babai: Nuk e di tamam si orë, më duket deri nga ora 4 e pasdites, dje.

Gazetari: Çfarë vendi ka rezultuar, sipas telefonit?

Babai: Si vend nuk e di, vetëm nëse e di policia./tvklan.al




Të ngjashme