Këtë të shtunë në programin “Rudina” në Tv Klan është diskutuar për lidhjen e shqiptarëve me shtëpitë e tyre.

Sociologu Gëzim Tushi tha se në vendin tonë, të pasurit një shtëpi është çështje statusi, ndryshe nga shumë popuj të tjerë.

“Shqiptarët lidhjen me shtëpinë e kanë organike, e kanë pasur dhe e kanë çështje statusi. Për të treguar që ke një shtëpi do të thotë se ke një status social. Përshembull në Angli 50% i kanë shtëpitë e tyre, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 2/3 i kanë shtëpitë e tyre. Janë popullsi lundruese, lëvizin sipas tregut të punës, kështuqë ata nuk e kanë shumë këtë konceptin e pronës definitive, precize domethënë si rezidencë ku duhet të lësh jetën tënde.

Kurse shqiptarët e kanë këtë gjë, madje po të vini re më përpara, kur fejoheshim thonin: E ka dhe shtëpinë e tij. Pra, një nga treguesit e statusit për të kërkuar një vajzë, prindërit e saj thonin e ka shtëpinë. Ndërkaq, shtëpia për shqiptarët ka qenë një kështjellë mbrojtëse, jo vetëm se aty ka realizuar dëshirat individuale, marrëdhëniet me shtëpitë kanë ndryshuar sepse 100 vjet më parë shtëpitë kanë qenë njësi prodhuese. Aty jo vetëm kishte shumë kurora që jetonin në të, por rrotull kishin bagëtinë, prodhonin. Gradualisht u kalua te familja moderne, ku jetonte babai, nëna dhe ndonjë çift tjetër. Tani shtëpia ka marrë tjetër status”, u shpreh sociologu./tvklan.al