U hodhën në rrugë gjatë pandemisë, “Stop” zgjidh problemin e instruktoreve

Në datën 7 Maj transmetuam problemin e Drejtorisë sëFormimit Profesional, që në kohë pandemie pushoi nga puna 20 instruktorë, në shkelje në kontratës. Për muajin Mars u paguan për vetëm 9 ditë, edhe pse ishin me kontrata 6 mujore deri në 1-vjeçare.

Pas dy muajsh drejtoresha e këtij institucioni, Ollga Gjokaj, ka pritur në një takim punonjësit e saj. Ajo është shprehur se është e thyer nga veprimi që kanë bërë punonjësit e saj, duke u thënë se çdo gjë mund ta trajtonin në drejtori dhe jo lart e poshtë.

Biseda e drejtoreshës Ollga Gjokaj me instruktorët:

Drejtoresha Ollga Gjokaj- Pezullohet procesi mësimor. Jeni instruktorë part-time. Në momentin, që jeni instruktorë part-time, ju nuk paguheni. Paguheshit me orë mësimore, kur nuk zhvillohet ora e mësimit, nuk ka edhe pagesa. Nuk jam kundra jush, unë jam me juve! Plotësoj interesat tuaja, shpreh dëshirat tuaja, shpreh obligimet tuaja dhe gjithë, gjithë shqetësimi juaj ka kaluar nga mua, ka kaluar aty, ku duhet të vejë. Iku ajo! Kur flas unë, do të më shikosh mua!

Instruktorja- Po, po, po!

Drejtoresha Ollga Gjokaj- Mirë, se nuk është “Stop”-i tashi!

Instruktorja- Jo,jo nuk është “Stop”-i! Normal, që s’është “Stop”-i! Po pra ai mesazh erdhi, se e kërkuam ne, o drejtoresha. U ngritëm ne! U ngritëm ne, pa erdhi mesazhi!

Drejtoresha Ollga Gjokaj- Jonida, e para e punës, po flet me titullarin dhe kur flet me titullarin, duhet të kesh respekt. Ti nuk e di, se çfarë kam bërë unë! Unë çdo gjë e kam bërë konform rregullave dhe përgjegjësive të kthyera nga një institucion më lart, që është AKPA.

Ekonomistja- Këtu keni një titullar. Ankohuni për problemet e veta, të vini këtu në shesh të burrave dhe jo të ankoheni poshtë e përpjetë, por këtu!

Drejtoresha Ollga Gjokaj- Me Lindën (ekonomisten) tashi, bëjmë të gjithë listën emërore tuajën dhe ia dërgojmë Zyrës së Punës.

Instruktorja- Po kështu duhet të ishte bërë, që në fillim!

Drejtoresha Ollga Gjokaj- Të përpiqemi të fillojmë mësimin!Pastaj për çështjen e kontratës, që ju mbaron në qershor, do të ketë amendament shtesë kontrate, dhe s’e luan topi! Mirë vajza? Ka vend për reflektim,ka vend për përmirësim si gjella, që do bëhet më e mirë nesër. Si flokët, qē do priten më mirë nesër. Si fustani ose palltoja, që do qepen më mirë të nesërmen. Unë mblodha, që të hënën, që juve sollët “Stop”-in, unë mblodha gjithë administratën. Shiko, unë jam përpjekur, që unë me juve të jem shoqe.

Instruktorja- Unë kam shumë dëshirë, kur t’ju shoh juve 3-4 veta që vij, të kem dëshirë të vij në tavolinë dhe nuk e kam bërë dot!

Drejtoresha Ollga Gjokaj- Po pse?

Instruktorja- Jam stepur! Jam ndier e bullizuar!

Drejtoresha Ollga Gjokaj- Po pse me zemër? Unë të kam thënë gjithmonë: Ç’i ke këto papucka të bukura!

Instruktorja- E di!

Drejtoresha Ollga Gjokaj- Unë ju kam shkruajtur edhe në grup: “Agjërim të mbarë!”, “Gëzuar Pashkët!” Nuk keni kthyer përgjigje. Nuk keni kthyer, vetëm keni fyer! Turp për mua! Ju keni të drejtë dhe unë përulem në drejtësinë tuaj. Do doja, që kur t’ju them “Përshëndetje!”, do doja, qē të gjithë juve të më thonit “Përshëndetje!” nē grup. Jam e hapur deri në orën 2 të natës!

Në fund ajo premton, se kontrata do të rinovohet. Pas ndërhyrjes së “Stop”, ka reaguar edhe AKPA, agjencia e cila ka në varësi këtë drejtori, duke thënë, se do të merren masa për këtë rast.

Etleva Gjokaj, Drejtoresha e Menaxhimit në AKPA shpjegon se punonjësit part-time u pezulluan pasi ata nuk mund të zhvillonin mësim online, ndërsa ata full-time, mund të merreshin edhe me kurrikulat.

Sipas saj, nëse këta instruktorë nuk marrin pagën e luftës, atëherë do të marrin asistencë, që është e barabartë me pagën e luftës. Kontrata për ta nuk është prishur, ndaj do të rifuten në punë pa konkurs. /tvklan.al