Të vishesh sipas tendencave më të fundit është pa dyshim diçka që të gjithë do e donin ta bënin. E kush nuk do donte që të dukej bukur dhe trendi në çdo ditë të vitit. Por, për poetin Albi Lushi, të ndjekësh tendencat më të fundit të modës është diçka që kërkon investim dhe shpenzim.

I ftuar në studion e “Rudina”, ai shprehet sinqerisht se ka qenë ndjekës i rregullt i modës në ato momente kur ka pasur buxhet të lartë. Për të. të vishesh bukur është shumë e rëndësishme, pasi në një mënyrë apo në një tjetër veshja tregon dhe një pjesë të karakterit të gjithësecilit.

Albi Lushi: Lidhur me këtë pjesë kur e ke ndjekur më shumë modën. Unë them kur kam pasur më shumë lekë në xhep sepse të vishesh sipas modës kërkon investim, çdo gjë që ti blen është kosto dhe ti do të bësh atë planifikim. Patjetër që veshjet nuk janë prodhime shporte. Patjetër për mua është shumë e rëndësishme të vishesh sepse veshja tregon karakter, tregon paraqitje është ajo mënyra se si ti prezantohesh dhe do të prezantosh veten dhe për mua është pjesë e rëndësishme e jetës, por të investosh është shumë kosto e madhe dhe unë besoj që në kohë të ndryshme ka pasur kosto të ndryshme.

Ndryshe kur isha nxënës, ndryshe kur isha student, ndryshe kur fillova punën, ndryshe tani dhe besoj se kam qenë gjithmonë një kumbimin ndërmjet seriozes, asaj gjësë zyrtare dhe asaj që është sportive, pra tip “casual” dhe kjo ka qenë dhe ka mbetur të paktën deri tani një lloj stili sepse njeriu me kalimin e viteve kompleton edhe atë mënyrën e vet të stilit, pra atë që ka dëshirë të paraqitet dhe të tjerët ta njohin. Stilet më ekstravagante nuk i kemi me periudha, por për shembull kur bëjmë këto paraqitjet zyrtare, kur jemi nëpër televizione apo konferenca. Unë kam edhe këtë kur ndjehem mirë me veshjen flas edhe më bukur. Të vetmet momente kur nuk i kushtoj shumë rëndësi veshjes është kur shkruaj ose kur lexoj, kur nuk kam publik dhe dua të jem vetëm me Albin, kur jemi bashkë të dy bëjmë vetëm gjëra të mira.

Xhoi Jakaj: Albi kalon çdo ditë para zyrës sime për të bërë ecjen e pasdites dhe të betohem që është i veshur shumë më bukur se sa sot në studio, me disa ngjyra, me disa elemente që thua po ky po shkon për të pikturuar.

Nga ana tjetër ekspertja e kristaleve, Fjorza Mullahaj shprehet duke argumentuar krejt të kundërtën. Sipas saj të vishesh bukur nuk do të thotë domosdoshmërish që të kesh para. “Frymëzimin më të madh të veshjeve e kam pasur në periudhën kur s’kam pasur kokërr leku”, është shprehur ajo teksa tregon se si sajonte në adoleshencë vetë me duart e saj veshje të ndryshme për t’u dukur e bukur dhe trendi.

Fjorza Mullahaj: Unë jam shumë kundra shpenzimeve në vlera të mëdha për rroba dhe aksesorë. Gjëja më e mirë për kalimin e viteve për ata që kanë një koshiencë të zhvilluar është se e kuptojnë se sa duhet të harxhojnë dhe ku duhet të harxhojnë, dhe zgjedhin disa brand-e që nuk i hedhin lekët poshtë. Unë personalisht bëj pazare dy herë në vit dhe shmang këto blerjen impulsive sepse ti je mërzitur apo i lumtur. Frymëzimin më të madh të veshjeve e kam pasur në periudhën kur s’kam pasur kokërr leku, po fare. Mbahesha në gjimnaz si goca më me stil, sepse vishja disa xhinse 15 mijë lekë të vjetra, një sezon i vishja siç ishin, vinte sezoni i verës i vija disa gurë, na “dilnin sytë”. Pastaj i fusnim një të grisur ose griseshin vetë gjatë një aktiviteti fizik, pastaj i vendosja një copë dhe ishin po të njëjtat xhinse të ardhura në tre sezone në tre mënyra. Thoshin “sa lekë paska pasur kjo gocë”.

Dhe mbaj mend që kam pasur një T-shirt të zakonshëm që ishte shumë e ngushtë dhe e bëra me njollë nuk hiqej, as mami im heroinë nuk arriti dot ta pastronte dhe unë e preva dhe nxora supin jashtë. Dhe më thoshin ku i blen si i bën dhe nuk tregoja se mirë tani që s’kishim, por të tregonim që s’kishim na dilte boja. Ideja është që jo gjithmonë të vishesh bukur ka lidhje me buxhetin. Unë nuk e ndjek kurrë modën, nuk hy të shikoj se cila ngjyrë është sivjet në modë, madje as për të stiluar koleksionet e mia të bizhuterive nuk rri të shikoj se çfarë nuancash janë në modë./tvklan.al