Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 14 Shkurtit nga KQZ, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh. Për këtë proces nuk pritet të ketë vonesa dhe organi legjislativ pritet të konstituohet brenda muajit mars.

Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe bazuar në projeksionet aktuale, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 deputetë, duke shënuar rekord të numrit të deputetëve në historinë parlamentare të Kosovës.

Kësaj radhe, përveç konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë së re, Kosova përballet edhe me një situatë të paprecedentë kushtetuese. Udhëheqësi i ri i Kuvendit, do të mund të marrë në mënyrë automatike edhe rolin e ushtruesit të detyrës së presidentit, post që ka mbetur vakant që nga dorëheqja e ish-presidentit Hashim Thaҫi në nëntor të vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Këtë post, deri më tani e ka ushtruar kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani, e cila është kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente./REL