Ellen Gonzalez dëshironte që të bënte disa ndërhyrje estetike në fytyrë, pasi që në fëmijëri kishte ndjerë se njerëzit përreth e ngacmonin për pamjen e saj.

42-vjeçarja, nga Stamford, nisi ndërhyrjen e parë në 2004, duke fryrë buzët… Por rezultati nuk ishte aspak ai që kishte imagjinuar pasi buzët e saj ishin shumë të fryra.

Disa vite më vonë, në 2016, ajo vendos që të rimodelojë hundën, por edhe në këtë rast u përball me një rezultat aspak të mirë. Pas operacionit ajo shprehet se pati probleme me frymëmarrjen dhe kur flinte gjumë “gërhiste si derr”.

Përpjekja e saj e fundit ishte në 2018 kur tentoi që të rregullonte edhe një herë buzët, por sërish nuk ia doli.

Pas kësaj ndërhyrjeje ajo thotë se ka vështirësi në të ngrënë, pasi ushqimi i rrjedh nga goja, si dhe nuk mund të qeshë pasi i bashkohen buzët.

‘Ndihem e shëmtuar dhe aspak tërheqëse. Nuk dua më të jem fallco. Nuk mundem as të ha dhe as të pi normalisht”.

E penduar për të gjitha ndërhyrjet që ka bërë, ajo ka vendosur që t’i drejtohet edhe një herë sallës së operacionit për t’iu rikthyer normalitetit.

Pas gjithë këtij kaluari të gjatë peripecish, ajo ka një mesazh për dy vajzat e saj por dhe për të gjitha femrat, teksa thotë që është shumë e rëndësishme që të ndihesh mirë me trupin tënd dhe ta vlerësosh, pavarësisht komenteve që mund të marrësh gjatë jetës.

Ky nuk është rasti i parë i dështimeve me operacionet plastike, ndërsa herë pas here mjekët bëjnë thirrje që pacientët që mendojnë për një ndërhyrje estetike, të jenë shumë të kujdesshëm me klinikat dhe mjekët që zgjedhin. /tvklan.al