E shohim çdo të shtunë si një nga aktorët e kastit të “Duplex”. Por Visjan Ukcenaj, jo vetëm që është një aktor i talentuar, por ka pasion edhe një tjetër zhanër, muzikën. “S’ka si ti” është kënga e tij më e fundit, të cilën ia ka dedikuar djalit të tij, Divin.

Emocionet e të qenit baba Ukcenaj i ndau me të gjithë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku ishte i ftuar. Ai tregoi se ka asistuar në lindjen e djalit të tij dhe siç shprehet aktori, pasi pa të birin i ndryshoi jeta.

“Prindërimi është rrugëtim. Një prind i ri asnjëherë nuk e di si është të jetë baba ose nënë. Unë kam asistuar kur ka lindur Jona dhe kur e kam parë për herë të parë tim bir më ka ndryshuar gjithë jeta. Jam i sigurt që çdo njeriu i ndryshon jeta kur shikon për herë të parë qenien e tij. Mendoj se njeriu nuk ka betejë më të madhe se sa të rrisë dhe t’i japë dashuri qenies së tij. Kjo është sfida më e madhe. Çdo ditë që e kam parë duke qeshur, duke qarë, duke ngrënë apo duke pirë më ka mbushur me jetë dhe më ka lindur në mënyrë instiktive të krijoj diçka për të që ta ketë si dhuratë. Ne jemi të përjetshëm vetëm nga veprat dhe kujtimet. Për ta bërë djalin të qeshë, bëj idiotësi dhe po të më shohin do thonë nuk është normal ky. Por Divini ka filluar dhe nuk qesh me çdo gjë tani. Gjërat që bëja më parë nuk i bëjnë më përshtypje dhe tani filloj i flas gjuhë absurde, gjëra pa kuptim. Jona është një nënë e mrekullueshme, përkushtimi i saj është magjik. Emocionohem ndonjëherë kur e shoh dhe habitem që Zoti ka krijuar qenien më të bukur, nënën. Kujtoj edhe mamin tim edhe them që nënat janë hyjnore. Dashuria e nënës nuk shpërblehet asnjëherë. Unë kam qenë prezent kur lindi Jona dhe nuk e di si ia kam dalë, në një moment sa s’më ra të fikët. Unë jam i përkushtuar si baba, dua ta kem gjithmonë pranë”,

tregoi aktori.

/tvklan.al