Që në moshë të hershme, Alma Kullit i është injektuar nga prindërit një dashuri e madhe për sportin. Sot ajo është instruktore fitnesi e pilates, por fillimet i pati me volejbollin. Spikaste në çdo sport që provonte dhe e kishte me shumë dëshirë, por u duk se volejbolli ishte talenti i saj.

Kalimi drejt pilatesit erdhi pikërisht prej volejbollit, rrëfen Alma në “Shije Shtëpie”  në Tv Klan. Një çështje serioze shëndetësore e vendosi përpara një zgjedhjeje që i dha sërish përparësi sportit.

Alma Kulli: Pilatesin e zgjodha sepse edhe vetë kisha problematika. Kisha tre operacione në një gju. Operacioni im i parë ka qenë 16 vjeçe në volejboll, por nuk më ndaloi asnjë moment. Edhe tani që e kujtoj, them si s’thashë njëherë u lodha, nuk bëj më!

Agida Koçi: Të treja operacionet i ke bërë për shkak të problemit që ke pasur nga volejbolli?

Alma Kulli: Po, nga stërvitja e shumtë që bëja sepse luaja edhe me të vegjlit, edhe me të rriturit.

Agida Koçi: Domethënë ti ishe më e vogël dhe shkoje te grupi i të rriturve.

Alma Kulli: Në qoftë se e ke talentin, përzgjidhesh dhe ishte dy orë nga dreka dhe dy orë në darkë.

Agida Koçi: Po çfarë tha mami kur mësoi që ti 16 vjeç në operacion?

Alma Kulli: Asnjëri nuk kishte problem, thjesht më pyetën se doktori tha “firma është e mamit dhe jo jotja që do hysh në operacion. Nëse ti do bësh këtë jetën do hysh në operacion, nëse nuk do ta bësh këtë jetën e sportit, mund edhe mos ta bësh operacionin dhe ta shtysh”.

Agida Koçi: Ishte çështje zgjedhjeje dhe në atë moment ti zgjodhe sportin.

Alma Kulli: Unë i thashë mamit po, do ta bëjmë, mami tha “do ta diskutojmë në shtëpi”. Jo, nuk do ta diskutojmë, na thoni datën kur të vijmë. Ky ka qenë operacioni im më i madh, dy të tjerët më janë dukur si rutinë se kanë qenë më të vegjël, edhe rikuperimi por gjithmonë kap veten që i them po si s’the mjaft se u lodhe se edhe rikuperimi, ajo është pjesa më e vështirë.

Rikuperimi në operacione të tilla, konfirmon fizioterapisti, kërkon të paktën 6 muaj.

Alma Kulli: Pas një këputjeje tendine përpara, po fiks 6 muaj, kam mbajtur fiks datën kur kam hyrë dhe kur kam dalë që të shkoja fiks në ditën për të lozur. 26 janar, e mbaj mend që kam qenë në fushë përsëri./tvklan.al