Një 40-vjeçar nga Tirana përfundoi në pranga, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Ai u ndalua nga efektivët e Policisë Rrugore në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që transportonte 34 të huaj nga vendet e treta, të cilët do t’i kalonte ilegalisht drejt Kosovës.

“Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për marrjen e masave për të  parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas transportonte nga Bilishti në drejtim të Elbasanit, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, organizuan punën dhe finalizuan operacion policor “Krasta”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit V. K., 40 vjeç, banues në Tiranë”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Autoritetet thonë se vijojnë punën në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Elbasanit, për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./tvklan.al