Dy oficerë të policisë amerikane së Indiana akuzohen se kanë shkelur të drejtat civile dhe federale pasi kanë ushtruar dhunë ndaj një personi të arrestuar. Rasti ka ndodhur në Janar të vitit 2018, por pamjet e kamerave të sigurisë janë publikuar në media së fundmi. Cory Newland 35 vjeç dhe Joshua Titus 30 vjeç qëlluan me grushte një person të ndaluar, i cili ishte ulur në karrige dhe me pranga në duar.

Tërësisht i pambrojtur dhe i pamundur për të reaguar, ai u sulmua nga dy oficerët e policisë, të cilët ushtruan dhunë. I ndaluari Mario Ledesma provokoi oficerët e policisë, dhe këta të fundit më pas reaguan ashpër duke e shtrirë përtokë edhe pse ishte i prangosur. Zyra e FBI në Indianapolis ka dënuar këtë ngjarje duke thënë se raste të tilla nuk mund të tolerohen.

“FBI nuk do të tolerojë keqpërdorimin e pushtetit nga kushdo që duhet të zbatojë ligjin. Zyra ime i merr seriozisht akuzat për shkelje të të drejtave civile, duke përfshirë edhe përdorimin e forcës së tepërt nga oficerët e policisë që janë betuar për të mbrojtur ligjin”,

tha Grant Mendenhall, kreu i zyrës së FBI në Indianapolis.

Dy oficerët që ushtruan dhunë ndaj të ndaluarit rrezikojnë deri në 10 vite burgim dhe gjobë 250 mijë Dollarë nëse dënohen nga gjykata.

/tvklan.al