3 të arrestuar në Kurbin

Dy adoleshentë në Kurbin, përveçse shokë me njëri-tjetrin, ishin përfshirë edhe në “biznes” të cilin e drejtonin nga shtëpia e njërit prej tyre… Bashkë me ta, i përfshirë ishte edhe babai i njërit prej të rinjve. Bëhet fjalë për dy 17-vjeçarë dhe babain e njërit prej tyre të cilët akuzohen se kultivonin kanabis në shtëpi. Por jo vetëm kaq. Në shtëpi autoritetet policore gjetën edhe armë zjarri, automatik e pistoletë.

Policia ra në gjurmët e këtij aktiviteti të jashtëligjshëm falë informacioneve që kishte marrë se në një banesë që ndodhej afër një poligoni në Laç, i zoti i shtëpisë 48-vjeçari me iniciale V. R., kishte armë zjarri dhe kishte kultivuar kanabis në vazo lulesh. Në përfundim, në pranga, përveç 48-vjeçarit, ranë edhe djali i tij 17-vjeçar, si dhe bashkëmoshatari i këtij të fundit nga Fushë-Kruja.

Drogën policia e gjeti nëpër vazo lulesh në oborrin e shtëpisë, ndërsa armët u gjetën brenda saj./tvklan.al