Ish-kryeministri Fatos Nano ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” realizuar më 23 Nëntor 2003.

Përballë gazetarit Blendi Fevziu, Nano foli për zhvillimet politike të Nëntorit të vitit 2003, duke u shprehur se votuesit, të cilët i quajti “opingarë” do të kenë mundësi të vlerësojnë dhe verifikojnë mandatet e përfaqësuesve të tyre përpara se të zhvillohej kongresi i PS. Ai u shpreh se PS vlerëson minorancat dhe minoritetet dhe se Shqipëria kishte regjistruar progres të shquar në atë kohë. Nano shtoi se PS vazhdon të konfirmohet si partia më demokratike në vend dhe minorancat po abuzojnë duke votuar kundër disiplinës së përfaqësimit të zgjedhësve të vet.

“Duke filluar nga sot unë kam veshur opingat dhe kur vesh Nano opingat ju e dini se çfarë ndodh, i vjen shumë mbarë Shqipërisë. Kyeministri është veshur me blu sepse po hyjmë në institucionet blu, ku nuk mundi të na fuste paraardhësi ynë përpara 1997-ës, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste ka mbathur opingat. Kjo do të thotë se sipas statutit dhe programit, opingarët që na votojnë nëpër fshatra dhe qytete do të ftohen që nesër të vlerësojnë dhe verifikojnë mandatet e përfaqësuesve sepse kongresi është pak javë përpara. Dhe do ta bëjnë këtë si opingarë të internacionales socialiste. Unë di ti përdor të gjitha instrumentet politike në demokraci në historinë e një vendi që është shqyer nga klasat politike. Ky fjalor që po përdor është fjalor i tranzicionit dhe pluralizmit demokratik në Shqipëri që jo për ndonjë fiksim timin unë jam drejtues i maxhorancës që prej fillimit të pluralizmit. Sot nuk mund të ketë grupe antiparti, mund të ketë përfaqësues të zgjedhur që nuk respektojnë vullnetin e zgjedhësve dhe programin politik për të cilin janë mandatar ose mund të ketë parti që fragmentohen për interesa aspak programore. Një nga handikapet e mia është transparenca e tepruar. PS është e pranishme edhe në minoritet. Ne i vlerësojmë dhe minorancat dhe minoritetet dhe në vitin e 7-të të qeverisjes prej nesh, Shqipëria ka regjistruar një progres të shquar. PS vazhdon të konfirmohet si partia më demokratike në vend dhe minorancat po abuzojnë duke votuar kundër disiplinës së përfaqësimit të zgjedhësve të vet”, tha Nano. /tvklan.al