35 viktima nga një sulm me bombë në Bagdad, shpërthime raketash gjatë faljes në pallatin presidencial

Falja e Kurban Bajramit në Kabul është shoqëruar me sulme raketash, gjë që ka shkaktuar panik tek besimtarët që po luteshin pranë pallatit presidencial.

Tre raketa ranë jashtë pallatit, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, por fatmirësisht pa të lënduar. Pavarësisht situatës, falja në kompleksin e pallatit, e cila po ndiqej nga Presidenti Ashraf Ghani vijoi mes zhurmës së shpërthimeve.

Askush nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin me raketa, por policia shpejt u zhvendos në të gjithë zonën. Pallati presidencial është në mes të së ashtuquajturës Zonë e Gjelbër që është e fortifikuar me mure gjigande dhe tela me gjemba.

Pasiguria është rritur në Afganistan, kryesisht e nxitur nga luftimet në provincat e saj ndërsa trupat e huaja tërhiqen dhe kryengritësit talebanë kanë marrë në kontroll më shumë territore,. Ndryshe nga disa vite të mëparshme, talibanët nuk deklaruan një armëpushim gjatë festës së Bajramit këtë vit.

Sulm me bombë u regjistrua edhe në Bagdad. Të paktën 35 persona humbën jetën dhe dhjetra të tjerë mbetën të plagosur në një treg të mbushur me njerëz. Gra dhe fëmijë kishte midis të vdekurve dhe disa dyqane u dogjën si rezultat i shpërthimit.

Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi militant Shteti Islamik. Kjo është hera e tretë që një shpërthim me bombë goditi Sadrin, lagjen kryesisht shiite myslimane të Bagdadit në muajt e fundit. Një sulm vetëvrasës i pretenduar nga militantët e Shtetit Islamik vrau të paktën 32 njerëz në një treg të Bagdadit në Janar.

Klan News