Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, ishte në një lidhje live me Klan News ku foli në lidhje me vdekjen e Papa Françeskut. Imzot Dodaj tha se Ati i Shenjtë e kujtonte me ëmbëlsi vizitën e tij në Shqipëri dhe ka qenë një vizitë që ka shënjuar të gjithë pontifikatin e tij.

“Papa Françesku na dëftoi një perspektivë tërësisht tjetër. E përmbysi atë që shohin të tjerët dhe nxorri dashurinë që ka Zoti. Duke ardhur në Shqipëri tregoi një dashuri të jashtëzakonshëm të Zotit për popullin tonë, një popull i martirizuar, një popull që e ka shënjuar thellësisht zemrën e tij, aq sa thotë ju kujtohet shumë mirë kur ishte këtu, “më vjen keq, unë nuk e njihja historinë e popullit tuaj, por këtë verë duke studiuar historinë e martirizimit kam dalluar sa shumë keni vuajtur”. Kjo ka qenë një përvojë që na ka shënjuar të gjithëve, sepse atë e ka shënjuar pastaj në të gjithë pontifikatin e tij. Ai kujtonte me ëmbëlsi, me mirënjohje, vizitën e tij këtu sepse ishte një vizitë që unë mendoj se ka shënjuar pontifikatin e tij, sa i përket veçanërisht dialogut ndërfetar si përvojë vëllazërore, jo thjesht si përvojë tolerance, aq sa në dokumente, si vëllezër të gjithë, si dokumenti i Abu Dabit, ka në bibliografinë e tij, pra në fund të dokumentit riferimentin e përvojës së tij në Shqipëri. Pra ka qenë frymëzues për atë që duhej të ishte botë në atë moment që ai e caktonte si ndonjë luftë copë-copë”, tha Imzot Arjan Dodaj.

Imzot Dodaj tha se Papa Françesku ishte njeri i urave dhe i dialogut.

“Ishte papa i urave. Hidhni poshtë muret thoshte e ndërtojmë ura. Ishte papa i dialogut nëpërmjet urave. Mendoj që është një mesazh shumë i bukur për mbarë njerëzimin”, tha Imzot Dodaj.

Ai kujtoi edhe këshillat që i ka dhënë Papa, pasi ka pasur mundësi që ta takojë personalisht që prej vitit 2013.

“Edhe unë provania hyjnore ka dhënë në mënyrë që ta takoja shumë herët në mënyrë personale, në audienca private, apo në audienca publike, të kisha kontakte të vazhdueshme me të. Këshillat e tij, nxitjen e tij, veçanërisht gjithmonë inkurajimin e tij. Gjithmonë më thonte kurrë mos ta vjedhë kush buzëqeshjen. Më nxiste, edhe kur kam ardhur në misionin tim në Shqipëri, kam qenë i bekuar dhe i nxitur nga ai. Jam shumë i lumtur sepse E shihte këtë shërbim ndaj kësaj arqidioqeze Tiranë-Durrës si një formë dhe risie e klerit shqiptar që angazhohet për të çuar përpara popullin e vet pas një kohe të madhe të dimrit të persekuptimit komunist”, tha Imzot Dodaj./tvklan.al