Të paktën 46 të vdekur në SHBA

Numri i të vdekurve nga përmbytjet pasi mbetjet e uraganit Ida goditën qytetet në Lindje të SHBA u rrit ndjeshëm në 46 të enjten, pasi New Jersey njoftoi se të paktën 23 persona kishin vdekur atje.

Jugu i New Jersey-it u godit edhe nga një tornado e cila shkaktoi dëme të mëdha materiale.

Guvernatori i New Jersey, Phil Murphy tha se shumë njerëz kishin qenë brenda makinave në momentin e përmbytjes duke e patur të pamundur daljen jashtë tyre.

Zyrtarët kanë komunikuar që shumë persona janë ende të pagjetur.

Dhjetëra persona kanë vdekur në 6 shtete lindore, Connecticut, Maryland, New Jersey, New York, Pennsylvania dhe Virginia, pasi stuhia solli reshje të dendura në këto zona.

Në zonën e Filadelfias, disa rrugë u përmbytën, duke vonuar shërbimet hekurudhore dhe autobusët e qytetit, ndërsa bizneset shumë biznese detyruan të mbylleshin.

Ekipet e shpëtimit dolën me varka nëpër rrugët e përmbytura mëngjesin e së enjtes dhe rreth Filadelfias, në veri të Delaware dhe pjesë të shtetit të Nju Jorkut, duke i larguar njerëzit nga shtëpitë e përmbytura.

Ndërsa në Pensilvani, sipas Drejtorit të Menaxhimit të Emergjencave të Shtetit, Randy Padfield janë kryer me mijëra shpëtime.

Mbështetjen e tij e ka ofruar edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden: “Ka shumë dëme, dhe ua bëra të qartë guvernatorëve se ekipi im në … FEMA (Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave) është në terren dhe e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën që nevojitet.”

Në qytetin e Nju Jorkut, ekipi i shpëtimit ndihmoi udhëtarët të dilnin nga trenat e ndaluar të metrosë mbrëmjen e së mërkurës. Shefi i Departamentit të NYPD, Rodney Harrison tha të enjten se 835 njerëz u shpëtuan nga sistemi i metrosë.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul i tha CNN se shteti është mësuar me katastrofat, por ky do të ishte një pastrim masiv.

Unë do t’i nxisja njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, kontrolloni fqinjët tuaj, sigurohuni që ata janë mirë,” tha ajo.

Murphy e quajti përmbytjen që ndikoi në New Jersey “historike në çdo masë”.

“Asnjëherë nuk është përmbytur kështu, kurrë nuk ka rënë shi si ky,” tha Murphy. Ndërkohë është shpallur gjendja e emergjencës për shtetet e New York-ut dhe New Jersey./tvklan.al