Në kursin për licencën e trajnerit UEFA PRO që ka nisur prej disa muajsh marrin pjesë edhe të njohur të botës së futbollit. Pjesëmarrës në këtë edicion që zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit” janë edhe ish-futbollistë që kanë dhënë kontributin e tyre me Kombëtaren kuqezi si Ledian Memushaj, apo ish-lojtarë që kanë luajtur në kampionatin shqiptar si Emiliano Çela.

Memushaj është bërë pjesë e botës së trajningut ku ka patur edhe dy eksperienca, te Pescara U-19 dhe si zëvendës-trajneri te Dinamo City. Ai tregon rëndësinë e kursit UEFA PRO, teksa tregon se në të ardhmen synon të arrijë sa më lartë.

“Kursi është shumë interesant dhe shumë i rëndësishëm për ne. Është kënaqësi të jem me këtë grup e këta persona dhe shpresoj që të ecim sa më mirë. Për çdo trajner, ky kurs është shumë i rëndësishëm. Edhe për të ardhmen tonë. Kam qenë vjet me shpresat e Pescarës, por edhe si zëvendës-trajner i Dinamos me Luigi di Biagio. Secili prej nesh që punon si trajner, kërkon të ecë sa më lart.”

Kurse Emiliano Çela, që ka drejtuar Kastriotin, Flamurtarin dhe Kukësin, shprehu vlerësimin e tij për ecurinë e kursit dhe rëndësinë që ka për vazhdimësinë e karrierës.

“Kursi po shkon shumë mirë, kemi rreth pesë muaj që po aktivizohemi. Është sipas metodologjisë më të fundit të UEFA-s, është mënyra interaktive, të gjithë marrin pjesë. Po vëmë re që është shumë efektive, do na vlejë shumë dhe është një mundësi shumë e mirë për ne. Ne e dimë shumë mirë që është standarti më i lartë i trajningut, ka ardhur dhe në Shqipëri falë FSHF-së që e falenderojmë sepse të gjithë ne kemi mundësinë që të zhvillohemi dhe të mësojmë sa më shumë rreth punës që ne bëjmë.”

Në këtë kurs ndajnë eksperiencën e tyre figura të rëndësishme të futbollit shqiptar dhe jo vetëm.

Klan News