Akuza ndaj emisarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak ka hedhur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke thënë se ai kishte koordinim dhe sinkronizim të qëndrimeve me Serbinë në takimin e 14 Shtatorit në Bruksel.
Ai tha se në takim kishte prezantuar propozimin e tij për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa tha se ndaj tij, Vuçiç dhe Lajçak reaguan “me të njëjtin mendim”, duke e shpërfillur.
“Në takimin trilateral, u ekspozova përballë një sklenari të cilin z.Lajçak dukej se e kishte dizejnuar kohë më parë”.
Për deformim të procesit nga Lajçak, siç tha ai, i ka njoftuar të gjitha qendrat kryesore botërore.
“Pra i kam dërguar letër Kancelarit Scholz, Presidentit Macron, Kryeministres Meloni dhe Sekretarit Blinken. Këtu kemi të bëjmë me një emisar që e ka deformuar procesin, duke mos u përqëndruar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike, por duke lejuar që qerrja të vihet para kalit, që Asociacioni njëherë e pastaj shohim. Dhe ky deformim i procesit i zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi fundamentale”.
Për masat e vendosura ai tha se Kosova ka bërë mjaftueshëm që ato të hiqen nga ana e BE-së. Ndërsa zgjedhjet e reja në Kosovë tha se nuk i përshtaten askujt.
Takimi i 14 Shtatorit në Bruksel rezultoi pa sukses për zbatimin e aneksmarrëveshjes së Ohrit.
Tv Klan