Kryeministri kosovar fajëson Serbinë se ka nxitur tensionet në veri të Kosovës

Gjatë një vizite në doganën e Kosovës, kryeministri Albin Kurti, tha se kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për veten. Ky reagim vjen menjëherë pasi presidenti serb, Vuçiç deklaroi në Beograd se ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet likuidimi i popullsisë serbe.

“Unë jam kryeministër i shpresës dhe i progresit. Ndërkaq në Serbi keni një president të frikës dhe të kërcënimit. Kur ata flasin për dhunë, kur ata flasin për vrasje, flasin për vete, flasin për imagjinatën, mendimet e planet e tyre, nuk flasin për republikën tonë. Ne jemi për paqe, siguri, stabilitetin afatgjatë dhe na duhet që në shtetin tonë jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe demokracinë, kushtetueshmërinë, sundimin e ligjit dhe kurrë nuk bën ta harrojmë progresin. Progresi në Kosovë duhet të mbrohet”.

Kurti tha se Kosova është për paqe dhe stabilitet ndërsa e akuzoi Serbinë se ka nxitur rritjen e tensioneve në veri më 31 Korrik dhe 1 Gusht, kur serbët lokalë bllokuan rrugët me barrikada.

Klan News