“Akuza Thaçit për shkëmbim territoresh”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi Serbinë se është faktor destabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Në një prej paneleve të Forumit të Paqes në Paris, Kurti tha se asnjë nga vendet fqinje të Serbisë nuk ndihet i sigurt.

Albin Kurti: Fqinjët e Serbisë, për sa kohë që nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata në Beograd janë të inatosur me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, nuk doli ashtu.

Kurti tha se me sulmin në Banjskë, Serbia tentoi të aneksojë veriun e Kosovës, por nuk ia doli. Kurti tha se fillimisht Serbia e provoi këtë me projektin e shkëmbimit të territoreve, gjë që dështoi.

Albin Kurti: Tani jetojmë në një epokë ku ky projekti i këmbimit të territoreve ka dështuar. Por besoj që ideja nuk ka vdekur ende dhe shoh se kudo që takohem dëgjoj presidentin e Serbisë që angazhohet për një gjë të tillë sepse fantazia mund të mos jetë reale, por e kushtëzon të menduarit dhe sjelljen apo veprimtarinë e palëve.

Madje nuk i kurseu akuzat edhe ndaj Hashim Thaçit.

Albin Kurti: Ky projekti i këmbimeve të territoreve ka pasur homolog edhe në Kosovë, nga një nga pararendësit e mi sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejtë midis liderëve autoritarë që flasin për popullin si familje e tyre e për territoret e shteteve sikur të ishin prona të tyre.

Kurti tha se autorët e sulmit në Banjskë fshihen në Serbi dhe një ngjarje e tillë i ka pëlqyer edhe Rusisë që kërkon destabilizim të Ballkanit.
Tv Klan