Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për “Financial Times” ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja kanë qenë “shumë të buta” ndaj Serbisë dhe sipas tij, duhet të caktojnë një afat për miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Kurti është shprehur se Beogradi duhet të qëndrojë në anën e Perëndimit kundër Moskës në mënyrë që t’i japë Kosovës sigurinë se është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve.

Brukseli dhe Uashingtoni “duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t’i japin një afat kohor Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse dhe për të hequr dorë nga përpjekjet për t’u ulur në tre ose katër stola”, tha Kurti.

“Sapo Serbia të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata do të tregonin se duan të integrohen në BE dhe Serbia pa Rusinë nuk mund të kërcënojë sigurinë e kontinentit. Kështu që atëherë mund të besoja se ata në thelb duan paqe. Dhe SHBA dhe BE nuk do të përpiqeshin më t’i qetësonin ata.”

Kryeministri nuk pranoi të tregonte nëse policia do të tërheqë njësitë speciale nga komunat veriore, por këmbënguli se ankesat nga serbët për praninë e tyre po pakësoheshin.

Tutje, Kurti u shpreh se qasja “e butë” e perëndimit, sipas tij është “pasojë e shpresës së madhe se sa më shpejt Serbia do të hidhet në kampin demokratik perëndimor”.

“Sipas mendimit tim, ne kemi pritur shumë gjatë për të qenë ende me shpresë”, është shprehur kryeministri Kurti./Klan Kosova